
Projektligji “Për sportin”, Manastirliu: Më shumë instrumente ligjorë për të mbështetur sportistët
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastrliu tha sot se “ndryshimet në projektligjin “Për sportin” do të krijojnë më shumë larmi, më shumë instrumente ligjorë për të mbështetur sportin dhe sportistët dhe personat me aftësi speciale për të krijuar të drejta dhe mundësi të barabarta për t’u përfaqësuar në çdo aktivitet kombëtar dhe ndërkombëtar me struktura të njohura ligjore”

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastrliu tha sot se “ndryshimet në projektligjin “Për sportin” do të krijojnë më shumë larmi, më shumë instrumente ligjorë për të mbështetur sportin dhe sportistët dhe personat me aftësi speciale për të krijuar të drejta dhe mundësi të barabarta për t’u përfaqësuar në çdo aktivitet kombëtar dhe ndërkombëtar me struktura të njohura ligjore”
Në fjalën e saj në Kuvend ku po diskutohet për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, Manastirliu tha se “ashtu sikurse e kemi sqaruar në të gjithë komisionet e kuvendit, dua të theksoj faktin kemi bërë një rrugëtim të gjatë për të hartuar këto ndryshime ligjore duke konsultuar me ata që janë aktorë kryesorë në ekosistemin e sportit duke nisur nga Komiteti Olimpik Shqiptar, Federata Shqiptare e Futbollit deri tek federatat e tjera pjesë e organizimit tonë sportiv, Universitetit të Sporteve dhe subjekteve që interesohen për sportin dhe luajnë rol aktivë në të”.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “kemi bërë një proces konsultimi jo vetëm në tryeza të rrumbullakta, por edhe konsultimin ligjor ashtu sikurse e kërkon ligji dhe kemi marrë të gjithë komentet. I jemi përgjigjur komente kemi sqaruar zyrtarisht, por edhe nëpërmjet komunikimit shkresor edhe tryezave”.
Ministrja Manastirliu bëri të ditur se “buxheti për sportin është rritur mbi tre herë, kemi bërë investime reale në gjithë infrastrukturën sportive duke nisur nga shkollat ku më shumë 200 palestra e terrene sportive janë ndërtuar, stadiume të reja, parqe olimpike jemi duke investuar të vazhdojmë për të zhvilluar sportin”.
“I kemi mundësuar sportistëve elitarë ti mbështesim nëpërmjet shpërblimeve dinjitoze. Të krijojmë infrastrukturën sportive për stërvitjen e tyre”, tha ajo.
Manastirliu vuri në dukje se “nisëm për herë të parë jashtë programit mësimor një program që ka angazhuar më shumë se 12 fëmijë në dy disiplina të rëndësishme si basketbolli e volejbolli. Përmes programeve të ekipeve sportive në shkolla, të koordinuara nga Komiteti Olimpik Shqiptar në bashkërendim me federatat e volejbollit e basketbollit për të krijuar mundësinë e krijimit të ekipeve sportive në shkolla. Kemi më shumë se 800 ekipe sportive në shkolla”.
“Kemi krijuar mundësinë që breza pas brezi jo vetëm të stërvitim fëmijët, por të kemi mundësi të krijojmë kampionatet dhe nga këto organizime të dalin edhe filizat e së nesërmes që do të jenë edhe sportistët tanë. Ka një ndryshim dhe është ndryshim filozofie sa i përket asaj që ne po ndërtojmë për sportin e së nesërmes, nuk e shikojmë sportin si një garë apo spektakël, por një mjet edukimi përfshirje sociale, zhvillimit të potencialit njerëzor dhe rritje të shëndetit të qytetarëve tanë”, tha Manastirliu.
Projektligji për sportin ka për qëllim rritjen efikasitetit të zbatueshmërisë së këtij ligji për disa ndryshime, zgjerimin e formës së organizimit të disa organizatave sportive, sigurimin e integrimit të gjithë veprimtarisë së sportit olimpik special për fëmijë e të rritur me aftësi të kufizuara fizike dhe intelektuale në Shqipëri.
Ky projektligj ka për qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor në fushën e sportit dhe nëpërmjet tij do të krijojmë kushte të përshtatshme për rritjen e efikasitetin e transparencës në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në sport si edhe do të synojë gjithëpërfshirjen e veprimtarisë sportive olimpike speciale për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara fizike dhe intelektuale.
Ky projektligj synon zgjerimin e formës së organizimit të organizatave sportive në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
Burimi ATSH