
Balla: Brenda qershorit hapim të gjithë kapitujt e marrëveshjes për anëtarësimin në BE
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla deklaroi sot se, brenda muajit qershor pritet hapja e plotë e të gjithë kapitujve të marrëveshjes për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla deklaroi sot se, brenda muajit qershor pritet hapja e plotë e të gjithë kapitujve të marrëveshjes për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Balla prezantoi sot në Komisionin për Politikën e Jashtme projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për programin operacional shumëvjeçar për ekonominë dhe shoqërinë digjitale, në favor të Republikës së Shqipërisë për periudhën 2024-2027, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III)”.
Balla theksoi se, “kjo marrëveshje vjen në një moment të rëndësishëm të rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndërkohë që kemi hyrë në muajin qershor, brenda të cilit presim të përmbyllim hapjen e plotë të të gjithë kapitujve të marrëveshjes për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”.
“Me hapjen e të gjithë kapitujve bëhemi gati edhe për mbylljen e disa prej kapitujve, duke synuar siç e kemi shprehur të mbyllim të gjithë kapitujt brenda Krishtlindjeve të vitit 2027”, tha Balla.
Sa i përket marrëveshjes, Balla informoi se, “Shqipëria është në zbatimin e Axhendës Kombëtare të Reformave 2024-2027 dhe po ashtu, po zbatojmë edhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor në kuadër të të cilit, Shqipëria ka mundësinë e artë të përfitojë mbështetje financiare afro 922 milionë euro, këto qoftë në kredi, qoftë në grante dhe përfshirë po ashtu dhe një mbështetje direkte buxhetore prej 27 milionë eurosh, nëse do të arrijmë t’i përmbushim në kohë reformat e dakordësuar me BE-në
Balla theksoi se, “është me shumë rëndësi që gjatë këtij muaji të miratojmë në Kuvend një sërë marrëveshjesh dhe ligjesh të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me këto kushte të vendosura nga BE”.
Balla nënvizoi se “ratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi për financimin e programit operacional për ekonominë dhe shoqërinë digjitale nuk është thjesht një domosdoshmëri e natyrës proceduriale, por është dhe një akt politik, aq sa dhe strategjik për të konfirmuar vullnetin tonë për të ecur me vendosmëri drejt realizimit të objektivit tonë anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në këtë mandat të ri qeverisës që na besuan shqiptarët në 11 maj”.
Prandaj, shtoi Balla, “është synimi ynë që të përmirësojmë dhe të modernizojmë të gjitha sistemet tona digjitale, elektronike në të gjithë sektorët me qëllim automatizimin dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve, por edhe të bizneseve dhe po ashtu edhe modernizimin, digjitalizmin e veprimtarisë së administratës publike”.
Balla u shpreh se, “kemi në fokus 4 shtylla kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit sa i përket qasjes digjitale. Politikë digjitalizmi dhe siguria. Digjitalizimi i shërbimeve për biznesin. Aftësimi digjital dhe transformimi i arsimit. Qytetari digjital të dhënat dhe privatësia”.
Ai shtoi se “në këndvështrimin teknik, programi parashikon ndërhyrje konkrete në disa drejtime. Shëndetësi digjitale, pra krijimi i një rrjeti kombëtar të integruar të asaj që quhet E-Shëndeti dhe sistemit të informacionit të radiologjisë. Së dyti është edukimi digjital- përmirësimi i rezultateve të të nxënit në arsimin parauniveristar përmes përdorimit të mjeteve teknologjike. Së treti, sistemet tatimore ndërlidhen me sistemet e IT-së së BE-së, sa i përket efikasitetit fiskal. E katërta, shumë e rëndësishme është siguria kibernetike, forcimi i kapaciteteve për të parandaluar dhe për t’u përballur me kërcënimet ndaj sistemeve tona të komunikimit dhe informacionit. E pesta është lidhshmëria digjitale- na duhet domosdoshmërisht në rrugën tonë të këtij mandati për të konkretizuar aspiratën historike të anëtarësimit në BE, investimi në rrjetet me kapacitet shumë të lartë dhe në teknologjinë 5G”.
Sa i përket këndvështrimit financiar, Balla u shpreh se, “në këtë kapitull programi parashikon një financim total prej 44 milionë euro, ndër të cilat 30 milionë euro vijnë nga Komisioni në formë granti, ndërsa 14 milionë euro janë bashkëfinancim nga buxheti i shtetit shqiptar”.
Sa i përket fushave të mbështetjes nga ky program, Balla tha se, “në arsimin digjital ne do të pajisim 5500 mësues të shkollave të mesme me lap-top në kuadër të mësimdhënies. Synojmë që këto 5500 mësues të përdorin plotësisht sistemin SMIP (Sistemin e Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar), gjatë zhvillimit të orës mësimore”.
Po ashtu, shtoi Balla, “kemi menduar dhe rishikimin e kurrikulës TIK për shkollat e mesme dhe rritje e kapaciteteve për mësuesit mbi kurrikulat e reja”.
Duke vlerësuar investimet e qeverisë për laboratorët smart, Balla u shpreh se, “Shqipëria është ndër vendet e para që kanë filluar të aplikojnë që në klasën e parë, një iniciative pilot të qeverisë sonë, sa i përket kodimit”.
Po ashtu, shtoi Balla, “kemi vijuar edhe me mbështetjen e Bankës Botërore ndërtimin e 216 laboratorëve dhe falë mbështetjes së partnerëve tanë bankar shumë shpejt do të nisim edhe fazën e tretë të projektit e cila parashikon ndërtimin e 654 laboratorëve të tjerë në të gjithë shkollat e mbetura të arsimit parauniversitar, për të përmbyllur kështu brenda këtij mandati pajisjen e çdo shkolle në të gjithë Shqipërinë me laboratorët e teknologjisë së informacionit”.
Sa i përket shëndetësisë digjitale, Balla tha se, “synojmë rritjen e përdorimit të të dhënave shëndetësore përmes dy sistemeve elektronike, ngritjen e sistemit të informacionit të radiologjisë dhe regjistrit elektronik shëndetësor, e cila është një hap tjetër i rëndësishëm në shërbim të qytetarëve”.
Po ashtu, shtoi Balla, “kemi sistemin e informacionit të radiologjisë ku mundësojë krijimin, ruajtje dhe interpretimin me inteligjencë artificiale të të dhënave imazherike”.
Ndërsa, theksoi Balla, “regjistri elektronik shëndetësor, është një depo kombëtare e të gjithë dokumenteve mjekësore, shëndetësore elektronike të gjeneruara nga ofruesit e kujdesit shëndetësor. Çdo qytetar do t’i ketë aty në një llogari të vetme të gjitha këto të dhëna sa i përket shëndetit të tij, ku përfshihet kartela mjekësore, E-receta, ekzaminimi laboratorike, ekzaminimet radiologjike, epikriza dhe fletë-dalja”.
Sa i përket sigurisë kibernetike, Balla, tha se, “do të mbështetet AKSHI për blerjen e softuar-eve, por edhe të licencave sa i përket “dark web monitoring” (monitorimi i dark web) dhe ngritja e një “server room”-i të ri”.
Sa i përket tatimeve, Balla tha se, “synojmë të integrojmë dhe të ndërveprojmë me sistemet tatimore të BE-së. Do ta fillojmë shumë shpejt këtë ndërthurje të sistemeve tona, digjitale të tatimeve me ato të BE-së, sepse synimi ynë është që brenda këtij mandati të ri të përmbyllim procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.
Po ashtu, shtoi Balla “synohet mundësimi shkëmbimit automatik të të dhënave tatimore dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimi i kapaciteteve”.
Burimi ATSH