
Manastirliu: Certifikohen 77 oficerë të rinj sigurie në shkolla, rritje e numrit të tyre në 400
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, oficerë sigurie, mësues dhe prindër, përfaqësues të këshillave të prindërve.

Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë së Ministrisë së Mbrojtjes, certifikuan sot 77 oficerë të rinj sigurie, që do të shërbejnë në institucionet e arsimit parauniversitar.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, oficerë sigurie, mësues dhe prindër, përfaqësues të këshillave të prindërve.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha se këta oficerë do të shërbejnë në institucionet arsimore, duke garantuar më shumë siguri për nxënësit.
“Sot ju certifikoheni nga Akademia e Sigurisë dhe Ministria e Brendshme si figura profesionale që do të shërbeni me përkushtim dhe profesionalizëm në institucionet tona të arsimit. Përgjatë gjithë këtyre muajve kemi mundësuar që në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe me Akademinë e Sigurisë të nisim thirrjen e radhës për oficerët e sigurisë në shkolla, ku tashmë jemi në momentin ku certifikojmë 77 oficerë të sigurisë, të cilët do të jenë pjesë e listës së kandidaturave për punësimin në shkollat tona dhe ku menjëherë gjatë muajit qershor do të hapim një cikël të dytë të certifikimit nga Akademia e Sigurisë”, theksoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se numri i oficerëve të sigurisë do të rritet duke përfshirë për herë të parë edhe arsimin profesional.
“Përmes vendimit të fundit të Qeverisë që ne kemi miratuar, i kemi hapur rrugën rritjes së numrit të oficerëve të sigurisë në shkolla, duke vendosur që në shkollat të cilat kanë një numër më shumë se 900 nxënës të kemi dy oficerë të sigurisë dhe në shkollat me të paktën 350 nxënës të kemi një oficer sigurie në shkollë. Ky raport përmirësohet, pra, numri i nxënësve dhe oficerëve të sigurisë në shkolla nga niveli që kemi sot me rreth 270 oficerë sigurie, të rritet në 400 oficerë të sigurisë në shkolla, përfshirë dhe arsimin profesional, ku dhe aty kemi përfshirë për herë të parë rolin e oficerit të sigurisë në shkollë”, nënvizoi Manastirliu.
Më tej, Manastirliu u ndal te nevoja për forcimin e mekanizmave që fenomenet negative dhe vuri theksin te rëndësia e fletores digjitale të komunikimit, që informon prindërit në kohë reale për gjithçka ndodh me fëmijët në shkollë.
“Rëndësi të madhe ka dhe fuqizimi dhe formimi i oficerëve të sigurisë, ndaj për ne bashkëpunimi me Akademinë e Sigurisë dhe me Ministrinë e Brendshme është shumë i rëndësishëm dhe po punojmë gjithashtu së bashku për kurikulën, e cila do të riorganizohet dhe orientohet drejt atyre instrumenteve që sot ndihmojnë të kemi më shumë rezultate për parandalimin e fenomeneve, më shumë garanci për informacion në kohë reale me strukturat brenda shkollës dhe në komunitet, të kemi më shumë informacion në kohë reale për prindërit dhe kjo bëhet e mundur tashmë edhe me vendosjen dhe jetësimin e disa ndërhyrjeve pjesë e planit të ri të veprimit, siç është fletorja digjitale e komunikimit”, tha Manastirliu.
Manastirliu theksoi se “përmes këtij komunikimi interaktiv, përmes SMIP, programit që ne tashmë jo vetëm bëjmë të mundur informimin e prindërve për notat, për mungesat në shkollë, por jep informacion në kohë reale për sjelljet e fëmijëve, talentet dhe prirjet e tyre, por edhe për fenomenet që prindërit kanë nevojë të njihen në kohë reale – për mënyrën sesi komunikojnë fëmijët e njëri-tjetrit, për shqetësime që mund të jenë gjatë orarit mësimor apo jashtë tij – ku jo vetëm mësuesi kujdestar apo mësuesi i lëndës mund të komunikojë direkt me prindërit, por tashmë është bërë e mundur që përmes fletores së komunikimit digjital të jetë pjesë e këtij komunikimi edhe oficeri i sigurisë dhe punonjësi social dhe psikologu”.
Duke përshëndetur 77 oficerët e rinj të certifikuar nga Akademia e Sigurisë, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se “u hodh një hap i rëndësishëm me certifikimin e oficerëve të rinj të sigurisë. Me paketën “Siguria në Shkolla”, po ndërtojmë një sistem ku arsimi cilësor dhe siguria ecin bashkë, çdo ditë, në çdo shkollë të Shqipërisë. Këta oficerë nuk janë thjesht një prani, por pika e parë e reagimit, gjithmonë pranë nxënësve, mësuesve dhe prindërve”.
Ministri Hoxha theksoi në fjalën e mbajtur se “ky rrjet i ri sigurie mbështetet nga teknologjia moderne që po vihet në funksion përmes projektit “Smart City”, patrullat policore, edukimi për rreziqet që në moshë të vogël dhe bashkëpunimi institucional”.
Në fund Ministrja Manastirliu tha se teknologjia dhe inovacioni po bëhen pjesë e zgjidhjeve për rritjen e sigurisë në shkolla.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se “së bashku me Ministrinë e Brendshme jemi duke punuar për një projekt inovator që është ‘SmartCity’ dhe ku pjesë e këtij projekti të madh janë edhe shkollat tona, ku kamerat inteligjente brenda institucioneve të arsimit parauniversitar do të bëjnë të mundur që ne të kemi edhe më shumë siguri dhe garanci për parandalimin e fenomeneve të dëmshme përmes këtij sistemi efektiv si një garanci më shumë”.
Burimi ATSH