Çela në podcast austriak: Shqipëria, destinacion turistik elitar dhe i qëndrueshëm

Gjatë intervistës, Çela ndau vizionin e qeverisë shqiptare dhe angazhimin e AKT-së për promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik elitar dhe të qëndrueshëm deri në vitin 2030.


Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela ishte e ftuar në një nga episodet e podcastit oewfolk, të moderuar nga Astrid Steharnig-Staudinger, drejtoreshë ekzekutive e Bordit të Turizmit të Austrisë.

Gjatë intervistës, Çela ndau vizionin e qeverisë shqiptare dhe angazhimin e AKT-së për promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik elitar dhe të qëndrueshëm deri në vitin 2030.

Biseda u përqendrua në fuqinë transformuese të trashëgimisë kulturore, pasurive natyrore të Shqipërisë dhe rolin kyç të bashkëpunimit ndërkombëtar në ndërtimin e një turizmi që jo vetëm tërheq vizitorë, por edhe edukon dhe pasuron përvojën turistike.

Çela tha se “vitin e kaluar, Shqipëria mirëpriti 12 milionë vizitorë dhe regjistroi rreth 6.8 milionë netqëndrimi. Vetëm pesë ditë më parë, sipas një raporti nga Organizata Botërore e Turizmit, Shqipëria u shpall lider në rritjen e turizmit, me një rritje prej 80% krahasuar me vitin 2019. Përmbi këto shifra, Shqipëria ka zgjeruar me sukses turizmin gjatë gjithë vitit dhe nëpër të gjithë vendin. Përveç destinacioneve të turizmit bregdetar dhe malor, kemi pasur 5,5 milionë vizitorë në zona të mbrojtura dhe 1,5 milionë vizitorë në site të trashëgimisë kulturore. Agroturizmi ynë gjithashtu po rritet, me rreth 270 mundësi të disponueshme dhe një qëllim për të arritur 1 mijë deri në vitin 2030″.

“Vizioni i qeverisë shkon përtej rritjes ekonomike, duke u fokusuar në zhvillimin e turizmit cilësor, pra turizmin elitar. Fushat kyçe përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës, qëndrueshmërinë dhe trajtimin e sfidave të sezonalitetit. Po ashtu, legjislacioni po nxit bizneset private dhe po tërheq marka ndërkombëtare. Qëllimi është turizmi elitar deri në vitin 2030, mbështetur nga investime në aeroporte, porte dhe marina. Dhe, sigurisht, infrastruktura është gjithashtu një faktor kyç. Projektet e rëndësishme të turizmit përfshijnë Yacht & Marina në Durrës, një investim prej 2,17 miliardë euro që do ta kthejë Durrësin në një destinacion luksoz për superjahtet, dhe Marinën e Vlorës, me 438 vendndodhje për jahte dhe dy hotele me 5 yje. Po ashtu, po ndërtojmë një aeroport të ri në Vlorë, që pritet të përfundojë këtë verë”, nënvizoi Çela.

Pyetjes se çfarë po bën Shqipëria lidhur me qëndrueshmërinë dhe turizmin elitar, Çela iu përgjigj se “qëndrueshmëria është në zemër të zhvillimit të turizmit në Shqipëri. Lumi Vjosa, lumi i fundit i egër i Europës, është shpallur park kombëtar, duke theksuar angazhimin tonë për ruajtjen e mrekullive natyrore. Me 13,6% të vendit të shpallur si zona të mbrojtura, Shqipëria ofron peizazhe të paprekura, nga pyje të dendura dhe laguna deri në ekosisteme detare”.

Sa i përket burimeve njerëzore për sektorin e turizmit, Çela u shpreh se “mendoj se kjo është një sfidë globale, pasi njerëzit janë gjithnjë në lëvizje dhe kërkojnë përvoja të reja pune. Megjithatë, qeveria jonë ka marrë shumë iniciativa për të tërhequr specialistë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit”.

Drejtoresha e AKT-së tha ndër të tjera se “Shqipëria i ofron çdo udhëtari bukuri natyrore mahnitëse, mikpritje të ngrohtë shembullore dhe siguri të plotë. Po ashtu, kuzhina jonë është shumë autentike, një përzierje shijesh mesdhetare, ballkanike dhe osmane, por me karakteristika të ndryshme rajonale”.

“Shqipëria është e pasur me histori dhe trashëgimi kulturore, me tre site të trashëgimisë botërore të UNESCO-s: Butrinti, një qytet i lashtë me ndikime nga periudha helene dhe romake; Berati, i njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, me arkitekturën mahnitëse nga periudha osmane dhe Gjirokastra, një qytet i ruajtur mirë, shpesh i quajtur “Qyteti i gurtë”. Përveç kësaj, Shqipëria ka kështjella, kala, gjurmë të lashtësisë dhe tradita kulturore vibrante që vazhdojnë të jetojnë edhe sot”, theksoi Çela.

Drejtoresha e AKT-së tha se “Shqipëria ofron një larmi të jashtëzakonshme peizazhesh brenda një territori kompakt. Bregdeti ynë 450 km ofron plazhe të paprekura si në Dhërmi, Ksamil dhe Himarë, duke e bërë Rivierën shqiptare një parajsë për ata që kërkojnë diellin”. Ndërkohë, Alpet shqiptare ofrojnë peizazhe mahnitëse, perfekte për turizmin e aventurës. Nëse jeni duke kërkuar bukuri natyrore dhe aventurë, Alpet tona ofrojnë të dyja në destinacione të njohura si Valbona dhe Thethi, ku vizitorët mund të zbulojnë fshatra malorë të largët dhe kuzhinën tradicionale shqiptare”.

Burimi ATSH

Lexo më shumë nga

“Nga bohemizmi, te përjetësia”

Qendra për Hapje dhe Dialog sjell në Tiranë një nga ekspozitat më të rëndësishme të çelura ndonjëherë në kryeqytet.

Global 360

Zelensky takohet me Vance dhe Rubio, kritikon kushtet e paqes të Rusisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u takua sot me zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio

Diplovista

Rama për ”La Repubblica”: Fituam zgjedhjet sepse shqiptarët e duan Evropën

Fituam zgjedhjet sepse shqiptarët e duan Evropën, deklaroi kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetën e njohur italiane ”La…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Rikthim në tempullin e poezisë

Tre vite më parë, me 18 shkurt 2022 u nda nga jeta poeti Bardhyl Londo!

Profil

“The Telegraph”: Liderët evropianë dhe amerikanë, e shohin Ramën si forcë stabilizuese në rajon

Gazeta britanike i kushton një profil kryeministrit Edi Rama

Masmedia

“Nga bohemizmi, te përjetësia”

Qendra për Hapje dhe Dialog sjell në Tiranë një nga ekspozitat më të rëndësishme të çelura ndonjëherë në kryeqytet.