
Rama: Më 11 maj njerëzit e zakonshëm kanë në dorë të bëjnë historinë
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në Lushnjë.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në Lushnjë.
Në fjalën e tij Rama u ndal te procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në këtë proces.
Rama tha se BE na ka hapur derën dhe shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi të artë.
“Ka një gjë tjetër shumë të madhe që ne do duhet të bëjmë së bashku, që është përtej kohës që jetojmë. Ka një gjë tjetër që lidh amanetin e stërgjyshërve tanë me borxhin që ne u kemi fëmijëve tanë dhe kjo është mundësia e artë që na është dhënë. Mundësia që fati për hir të së vërtetës na e ka dhënë, mua, juve që jeni këtu, të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri apo jashtë saj, një moment kur ëndrra jonë e vjetër, profecia e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, për fatin evropian të shqiptarëve, amaneti i rilindësve, për të parë dhe jetuar gjithmonë me diellin që lind andej nga perëndon, të gjitha përpjekjet e këtij populli për të shkuar drejt shtëpisë së madhe, drejt Europës së bashkuar dhe mbërritja pranë saj përkon më dëshirën dhe interesin e asaj shtëpie për të na ftuar brenda, gjë që ka sjellë që dera e asaj shtëpie për herë të parë është hapur dhe fillon nga 11 maji hedhja e hapit historik të futjes në atë shtëpi”, tha Rama.
Rama shtoi se “unë besoj shumë që ky fat nuk ka ardhur rastësisht, ka ardhur si rezultat qoftë i një përpjekje të madhe nga ana jonë, por edhe i një momenti, domosdoshmërie, pasi populli shqiptar, ky popull ndër më të vjetërit që jeton në zemër të Evropës, nuk mundet më të vazhdojë të jetojë si një popull i huaj në kufij me Evropën, por është koha që të bëhet popull evropian, i barabartë me popujt e tjerë evropianë, jo vetëm me zakone, por edhe me ligj”.
“Me ligj do të thotë edhe me një dokument të një identiteti të ri evropian, me pasaportën e BE-së, që konfirmon atë që në fakt është identiteti ynë i vjetër, shqiptarët janë në themelet e Evropës, shqiptarët kanë qenë gjithmonë aty dhe e gjitha ajo që ka ndodhur me ta në kaq shumë shekuj, ka qenë fasha e një historie që nuk ka qenë asnjëherë bujare me ta dhe nuk është e rastësishme që pavarësisht se të vegjël, të varfër të papërkrahur, pavarësisht se shumë shpesh të shtypur nga fuqi shumë më të mëdha, ja ku janë shqiptarët janë prapë këtu në mes të Evropës, janë këtu më mirë se ç’kanë qenë ndonjëherë dhe më të vendosur se asnjëherë për t’u bërë pjesë e BE-së. Është e jashtëzakonshme, është magjepsëse ta mendosh që kjo histori, mund të vijë dhe të lidhet deri te një votë, te vota e secilit prej nesh”, tha Rama.
Rama tha se duhet të bashkohemi e mos të shohim ndasi majtas e djathtas, si një shtysë për të përmbushur objektivin e anëtarësimit në BE brenda kësaj dekade.
“Kjo histori mund të vijë dhe të kërkojë që ne të bashkojmë duart tona, të kapërcejmë hendeqet mes nesh, të mos shohim majtas e djathtas, por vetëm drejt dhe që duke i bashkuar votat tona si një mishërim i vullnetit tonë të përbashkët, ne t’i japim një shtysë shumë të fortë Shqipërisë, një fuqi të re për të përmbushur objektivin e mbylljes së negociatave me BE-në për të nënshkruar marrëveshjen brenda 2027 dhe për të çuar Shqipërinë zonjë në sallonin e madh të asaj shtëpie, brenda kësaj dekade”, tha Rama.
Rama theksoi se më 11 maj njerëzit e zakonshëm kanë në dorë të bëjnë historinë.
“Janë njerëzit e zakonshëm që janë një forcë e patjetërsueshme e pazëvendësueshme për të bërë historinë. Njerëzit e zakonshëm sot kanë në dorë të bëjnë një gjë të jashtëzakonshme dhe është vetëm një ditë votimi, është vetëm një fletë votimi, është vetëm një vullnet për të votuar. Keni votuar shumë herë, nuk qëllon që zgjedhjet për qeverinë e ardhshme të përkojnë edhe me historinë, qëllon shumë rrallë. Mund të mos qëllonte asnjëherë, por ja që është e dyta herë që historia dhe zgjedhjet për një qeveri të radhës bashkohen me njëra-tjetrën, u bashkuan në mars të ’92 kur shqiptarët masivisht votuan PD-në dhe pse shumica e tyre nuk ishin mbështetës të PD-së, por ama votuan PD sepse i bashkoi vendi dhe i bashkoi ora e historisë së shqiptarëve për të bërë ndarjen e plotë të qartë dhe përfundimtare me të shkuarën dhe për ta përqafuar përfundimisht Evropën. Më 11 maj, është e njëjta gjë, është ekzaktësisht e njëjta gjë”, tha Rama.
Burimi ATSH