
Berisha: Më 11 maj çelim së bashku një epokë të re për Shqipërinë
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në qytetin e Korçës.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në qytetin e Korçës.
Kryetari i PD-së deklaroi se më 11 maj do të mbyllet “ëndrra e keqe” dhe do të nisë një epokë e re për Shqipërinë.
“Fara jonë nuk do zhduket kurrë. Ne do e sjellim kombin në moshën e tij të rinisë, për të mbetur përjetë një komb i ri. Kjo ëndërr e keqe, me 11 maj lihet, arkivohet në histori. Çelim së bashku një kapitull, një epokë të re për Korçën, korçarët, Shqipërinë, shqiptarët”, tha Berisha.
Berisha akuzoi qeverinë për shpërdorim masiv të buxhetit dhe premtoi se fondet ekzistojnë për t’u kthyer qytetarëve përmes reformave konkrete.
“Ju garantoj se, këto para, qindarkë për qindarkë, ekzistojnë dhe ne nuk bëjmë gjë tjetër, vetëm t’ua kthejmë ju paratë”, tha Berisha.
Kryedemokrati fokusin kryesor e vendosi te rinia, duke premtuar mbështetje financiare për lindjet, arsimimin dhe punësimin: paga më të larta për mësuesit, bursa për studentët, arsim të detyrueshëm, 30 mijë euro për çiftet e reja, fonde për startup-e dhe kthimin e emigrantëve me lehtësira fiskale.
“Një tjetër kemi më të vështirë, një mision tjetër kemi, një objektiv tjetër kemi, për të cilin ne do të bëjmë çdo sakrificë dhe kjo është, t’i japim kombit moshën e rinisë. Ta sjellim prap kombin në rininë e tij. Dhe unë ju garantoj ju dhe çdo të ri, çdo fëmijë, në Korçë dhe në Shqipëri, se kjo do të jetë përparësia më absolute. Kjo është Leva e Arkimedit për të shpëtuar kombin shqiptar.
“Ndaj dhe ne, për të sjellë kombin në moshën e rinisë do ta nisim tek lindjet. Për fëmijën e parë 70 euro. Për fëmijën e dytë 60 euro. Për fëmijën e tretë, pagesa e plotë nga lindja gjer në 23 vjeç. Kombi ynë duhet të jetë komb me të ardhura dhe komb me shpresë. Por, komb pa rini, pa të ardhme nuk ka. Për fëmijët, shkolla të cilat do të modernizohen, digjitalizohen në të gjithë veprimtarinë e tyre.
“Të dashur miq, hiqet mesatarja për universitete. 200 euro bursën për të gjithë ata që studiojnë jashtë rrethit të tyre. Shkolla dhe punësimi do të jenë të lidhura në binjakëzim. Do krijohet fondi kombëtar i praktikave për studentët dhe të rinjtë, çka do të thotë, qeveria do paguajë universitetet, do lidhen në ortakëri me sipërmarrje publike dhe private dhe qeveria do të paguajë të gjithë praktikën e studentëve në këto sipërmarrje. Brenda 1 viti, çdo i ri i diplomuar do të ketë një vend pune në sektorin publik ose privat”, tha Berisha.
Sipas Berishës, “vitin e parë qeveria do të shtojë 1000 vende pune për universitetin për ekselencat, për studentët më të mirë”.
“Krijohet fondi kombëtar i rinisë, Startup Albania. Startup-et e të rinjve do të marrin 5 mijë euro grante falas për bizneset që do nisin”, tha Berisha.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për ndryshimin më 11 maj.
Burimi ATSH