
Rama: 11 maji është votë për në BE
Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, ishte sot në Kavajë ku prezantoi arritjet kyçe për sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE.

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, ishte sot në Kavajë ku prezantoi arritjet kyçe për sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi kandidaturat e Partisë Socialiste për Kavajën, duke nënvizuar se PS “zgjedh kalin më të fortë që të tërheqë më shpejt karrocën e punëve tona”.
“Nëse Kavaja do që në parlamentin e Shqipërisë të ketë përveç dy deputetëve që i ka sot, se i ka në listën e mbyllur, edhe më shumë se dy, i ka zgjedhjet njërën më të mirë se tjetrën. Nëse Kavaja do që përveç tyre, të mos mungojë me shumicën e vet në takimin me historinë në 11 maj, për këtë pasaportë evropiane që nuk është tesera e PS-së, nuk është pasaporta që zëvendëson pasaportën që kemi sot për të lëvizur pa viza, është statusi i ri i shqiptarit në Europë, është pasaporta e identitetit evropian të shqiptarëve, jo vetëm me zakone, por edhe me ligj. Nëse i do të gjitha këto, Kavaja duhet të bëhet shumicë për PS-në. Tek çdonjëri nga kandidatët tanë, kavajasit që nuk janë socialistë i kanë të gjitha arsyet të shohin njeriun, protagonistin shoqëror, politik, të shohin zërat që do të jenë nesër vlerë e shtuar për Kavajën. Kur ne shkojmë në zgjedhje nuk shkojmë për të bërë krushqi, por për të zgjedhur kalin më të fortë që tërheq më shpejt karrocën e punëve tona”, tha Rama.
Rama e cilësoi 11 majin si një mundësi historike për vendin, për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
“Kemi në dorë një mundësi historike, fati e ka dashur që gjithë puna që kemi bërë duke i rënë derës së BE-së, ne bjer e dera mbyll, këtë herë na shpërblehet sepse tani është një moment që jo thjesht për ne, por edhe për interesin e tyre ata e kanë hapur derën. BE është si shtëpi e të pasurve, shtëpitë e të pasurve e hapin derën, jo kur ti i bie, por kur ata kanë interes që të fusin brenda. Na kanë dhënë dy vite kohë deri në 2027-n për të mbyllur negociatat. Por të pasurit i harrojnë shpejt ato që thonë, se i del një interes tjetër më i madh, ne duhet të vrapojmë të mbyllim negociatat brenda 2027-s”, tha Rama.
Rama tha se “akoma jemi të huaj për Evropën” dhe këtë “mund ta ndryshojmë vetëm vetë”.
“Kjo do forcë, do bashkim do të shohësh të kaluarën me sytë e të ardhmes, jo të shohësh të ardhmen me sytë e “bufit të kënetës”. Kjo do të shohësh flamurin kuqezi, jo ngjyrën e ujit të “kënetës”. Të shohësh tek tjetri një fuqi më shumë, sepse të gjithë bashkë në bindje nuk e ndajmë dot. Bindjen që jemi pasardhës të Skënderbeut, Ismail Qemalit e gjithë bartësve të amanetit që ka të shkruar fatin evropian të shqiptarëve”, tha Rama.
Rama shtoi se kjo mundësi historike, “na ka ardhur ne në dorë, siç u erdhi në dorë të gjithë atyre që në mars të ’92-shit votuan PD-në, shumica nuk ishte me PD-në, por ama ishin me Europën, me demokracinë, me lirinë dhe donin t’i vinin vulën një ndarje me të kaluarën. 6 muaj më pas e nxorën prap në pakicë partinë e Bufit, por më 22 mars nuk ishte një zgjedhje për partitë por ishte një zgjedhje për Shqipërinë: Shqipëria në Europë, apo Shqipëria akoma me hijet e së shkuarës”.
Burimi ATSH