
Berisha në Mat: Kërkoj vetëm 100 ditë për të transformuar Shqipërinë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal sot gjatë takimit përmbyllës të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Mat se kërkon nga shqiptarët vetëm 100 ditë për të transformuar Shqipërinë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal sot gjatë takimit përmbyllës të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Mat se kërkon nga shqiptarët vetëm 100 ditë për të transformuar Shqipërinë.
Sipas Berishës, Rama e kreu provën dhe tashmë është futur në rreth të kuq.
Duke iu referuar rezolutës së PPE, Berisha garantoi se ata kurrë nuk do votonin fjalët e PD-së po të mos ishin 100 për qind të vërteta.
“Ai premtoi shëndetësinë falas, premtoi 300 mijë vende pune, premtoi 24 orë ujë të pijshëm, premtoi rritje rrogash dhe pensionesh. Por e vërteta është se në 12 vite varfëroi shqiptarët si në asnjë vend tjetër, rriti çmimet si në asnjë tjetër, largoi shqiptarët nga Shqipëria”, u shpreh Berisha.
Ndaj, vijoi ai, “unë jam këtu sot të kërkoj nga ju matjane dhe matjanë të çdo force politike qofshi, vetëm 100 ditë prove”.
“Nuk kërkoj për pushtetin tim, se nuk kam ambicie për pushtet, nuk kam ambicie për para, se po të kisha ambicie për para, do isha një nga mjekët më të pasur. Por 3 vite më parë, kur konstatova se duan t’ju lënë pa opozitë, u ngrita dhe sot ju keni opozitë që ecën drejt fitores”, tha Berisha.
Berisha tha se kërkon nga çdo shqiptar vetëm 100 ditë për të transformuar Shqipërinë.
Berisha renditi disa nga punë që do kryhen në 100 ditë.
“Të vendosim pensionin minimal 200 euro, për të shpalosur përpara çdo shqiptari një mundësi të re, për t’i thënë çdo pensionisti dhe rrogëulëti që nuk do ketë rrogë nën 500 euro, për të dhënë rrogën minimale 500 euro dhe kartën e konsumatorit. Kërkoj 100 ditë për të përgjysmuar tarifën e ujit për qytetarët, për të ulur në 7 lekë çmimin e energjisë për qytetarët”, u shpreh Berisha.
“Kërkoj 100 ditë për të vendosur në Shqipëri listën italiane të rimbursimit të ilaçeve. Na duhen 100 ditë dhe vetëm 100 ditë që të vendosim të bëjmë realitet kontratën e firmosur me presidentin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura për minatorët, për gjeologët, për naftëtarët, statusin e tyre 100 për qind sipas kontratës”, tha Berisha.
“Kërkoj 100 ditë që çdo biznesmen i vogël t’i ulet çmimi i energjisë nga 18 lekë në 6 lekë. Të ulet për çdo shqiptar nafta 30-40 për qind të çmimit. T’i përgjysmohet biznesmenit të vogël tarifa e ujit. T’i vihet kufiri te thana bashkisë, të mos vendosë më kurrë tarifa e taksa mbi biznesin më shumë se 1 për qind të xhiros”, vijoi Berisha.
“Kërkoj vetëm 100 ditë që çdo fermer i Matit dhe Shqipërisë të subvencionohet për çdo fidan, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi, pesë herë më shumë se sot”, tha ai.
Burimi ATSH