Gonzato: KE vëren angazhimin e palëkundur të Shqipërisë drejt integrimit në BE

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, i dorëzoi sot edhe kryeministrit Edi Rama Raportin e Progresit 2024 të BE-së


Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, i dorëzoi sot edhe kryeministrit Edi Rama Raportin e Progresit 2024 të BE-së, miratuar një ditë më parë nga Komisioni Europian.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Gonzato tha se KE vëren angazhimin e palëkundur të Shqipërisë drejt integrimit në BE, si përparësia kyçe strategjike e vendit.

Sa i përket kriterit politik, ambasadori tha se raporti vlerëson funksionimin e institucioneve demokratike si pjesërisht të kënaqshme, kryesisht për shkak të situatës thellësisht të polarizuar politike.

“Raporti i këtij viti del në një kontekst të favorshëm për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Dy javë më parë çelëm negociatat për grup kapitullin e “themeloreve”, në konferencën e dytë ndërqeveritar edhe më pas, Shqipëria paraqiti 3 udhërrëfyes që do të orientojnë përpjekjet e saj për reformat. Nuk do të lodhem së theksuari se sa shumë kjo shënon një moment kyç drejt anëtarësimit”, tha ambasadori.

Ai risolli në vëmendje se javën e kaluar Komisioni Europian miratoi edhe axhendën e reformave të vendit që do t’i çelë, sipas tij, rrugën zbatimit të Planit të Rritjes. Ky plan, theksoi Gonzato, do të veprojë si katalizator për ta sjellë vendin më shpejt drejt anëtarësimit në BE.

Më tej ai u ndal dhe në gjetjet kryesore të Raportit.

“Në paketën e zgjerimit të miratuar dje nga KE, vërehet angazhim i palëkundur i Shqipërisë drejt integrimit në BE, si përparësia kyçe strategjike e vendit. Ai njeh plotësisht faktin se Shqipëria ruan bilancin e saj të harmonizimit të plotë me politikën e jashtme të sigurisë së BE-së dhe kjo vazhdon to përçojë një sinjal të fortë rreth zgjedhjes strategjike të Shqipërisë, anëtarësimit në BE dhe rolit të saj si një partnere e besueshme. Komisioni shef një mundësi që të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE vitet e ardhshme, siç e theksoi edhe presidentja Von der Leyen javën e kaluar, që nëse hapi i reformave përshpejtohet Shqipëria mund t’ia dalë të çelë të gjithë grup-kapitujt deri në fund të 2025-ës”, deklaroi ambasadori.

Ambasadori deklaroi se Komisioni sheh mundësinë e çeljes së Kapitullit 6, për Marrëdhëniet me Jashtë, brenda këtij viti.

“Ashtu si komunikata e publikuar dje thotë: Komisioni mbështet çeljen e grup-kapitullit 6 “marrëdhëniet me jashtë”, drejt fundit të këtij viti, nëse ky trend pozitiv vazhdon”, u shpreh Gonzato.

Gonzato siguroi mbështetjen nga Komisioni Europian për synimin e qeverisë për të mbyllur negociatat për anëtarësim deri në fund të 2027-ës.

“Komisioni deklaron se është gati të mbështesë objektivin ambicioz të qeverisë për të mbyllur negociatat për anëtarësim deri në fund të 2027-ës. Këto afate ambicioze mund të bëhen realitet, nëse autoritetet shqiptare intensifikojnë më tej hapin e reformave të orientuara nga BE, sundimin e ligjit, konsolidimin e bilancit për zbatimin e ligjit, luftën efektive të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe nxitjen e promovimin e të drejtave themelore, përfshirë edhe lirinë e medias”, deklaroi Gonzato.

Ai tha se raporti vlerëson funksionimin e institucioneve demokratike si pjesërisht të kënaqshme, për shkak të situatës thellësisht të polarizuar politike, që ndikon negativisht në aftësinë e Parlamentit për të luajtur rolin e vet kyç ligjvënës dhe të mbikëqyrjes.

“Sa i përket kriterit politik raporti vlerëson funksionimin e institucioneve demokratike si pjesërisht të kënaqshme, kryesisht për shkak të situatës thellësisht të polarizuar politike, që ndikon negativisht në aftësinë e Parlamentit për të luajtur rolin e vet kyç ligjvënës dhe të mbikëqyrjes dhe rezulton po kështu edhe në vonesa në emërimin e individëve në postet kyçe. Po kështu edhe për shkak të mangësive të patrajtuara në procesin zgjedhor dhe mungesës së konsultimeve kuptimplota publike”, deklaroi ambasadori.

Sipas tij, mesazhi kryesor këtu është nevoja urgjente për të rindërtuar një dialog konstruktiv e gjithëpërfshirës politik.

“Kjo është thelbësore për sistemin demokratik të vendit dhe mundësinë e realizimit të reformave të lidhura me BE”, deklaroi ambasadori Gonzato.

(ATSH)

Filo: Turizëm gjatë gjithë vitit në Korçë, po shtohen vizitorët nga vendet fqinje

Prej vitesh turizmi në Korçë ka njohur vetëm rritje. Edhe sezoni veror që lamë pas nuk bëri dallim nga ky…

Global 360

Presidenti i Këshillit Evropian, Costa: Zgjerimi i BE-së, investim strategjik për paqen dhe të ardhmen e kontinentit

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, deklaroi sot se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një nga sfidat më domethënëse dhe…

Diplovista

Hasani për ”Kathimerini”: Të thellojmë bashkëpunimin bazuar në interesat strategjike

Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani vizitoi Athinën, ku u takua edhe…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Humanizmi sot në shoqëri sfidë për njerëzimin!

Humanizmi sot nuk është thjesht një koncept filozofik, por një nevojë absolute shoqërore dhe morale.

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Filo: Turizëm gjatë gjithë vitit në Korçë, po shtohen vizitorët nga vendet fqinje

Prej vitesh turizmi në Korçë ka njohur vetëm rritje. Edhe sezoni veror që lamë pas nuk bëri dallim nga ky…