Gjumi

Tregim


Nga Odise Kote

Tani shenjat dalluese janë të qarta. Gjumi i shkrimtarit është si droja brishtake, lakuriqe, turpëruese para turmës mosbesuese, ndërsa tek zyrtari si vija e drejtë e kujdesshme në fletoren e nxënësit të dalluar.

Tek i pari, flaka e beftë e zjarrit shpërthen aty nga fillimi i mesnatës. Prej atij çasti truri nuk ndal së shkrepuri mahnitjet, dmth fotografi imagjinate, trille, ngjarje të pakryera.

Bredh. Është lumë i egër. Pa fre.
Kërkon diçka që e tërheq.

Tê pamundur mbase.

Shkrepjet si adresat e reja të udhëtimit shëtisin dhe ato gjithandej.

Ku të mundin.

Nëpër stacionet ku ka dritë, aty ku imagjinata digjet si eshkë. Pandalim.
Bëf ..bëf…

Mbase ndalen pak aty ku dhembshuria është pak më e rëndësishme se fuqia …!

Ai tjetri, e ka gjumin të rëndë, të patrazuar, të paqtë, të shtrirë, linear.

Të gjitha ndodhitë e vogla të ditës i ka stopuar. Gjenden të sistemuara, ruhen në skedarë me emërtesa që mbajnë gërma kapitale.

Pizhama, simetri dhe disiplinë.
Pjesën tjetër të gjumit që tepron e konservon të paketuar në kthinat e errëta të trurit.

Ndërsa autori, djersitur e drobitur, ikën i lodhur nëpër pyllin e larë prej brymës së agimit, në kërkim të një shtegu të mundimshëm që të çon tek ngjizja, tek forma e duhur gjuhësore. (Ka ndjesinë e gjahtarit kur ndjek prenë). Vrapon pas asaj gjëje të patrajtë që fshihet nëpër mjegull. Ajo është delikate, e hollë dhe vrapon me sandale ere nëpër të çara prozhmesh.

I lumtur prej dhimbjes së kërkimit a ndoshta dashurisë me të panjohurën, ai shtjellet i plagosur në ekzistencën e tij.

Palëvizur.

Eshtë i shqepur.

Kapakët e syve mezi e mbajnë peshën e materies së sapoprekur.

Për tjetrin, vjen ora e zgjimit me kujdesin gravitacional të përpikmërisë dhe rregullit.

Pak fiskulturë. Tualet, makinë roje, kravatë e zgjedhur – dhe rendi i punëve të ditës që kërkon freski të sofistikuar.

Niset në punë.

Diku rreth orës dymbëdhjetë, në mjegullën e përzishme dhe shiun e hollë që shpon me mijëra gjilpërëzat e mendimeve të pasistemuara, shkrimtari fton zyrtarin për të pirë kafen e parë.

Ç’ditë mërzie sot …! e shpraz ankthin.

Prapë paske mëkatuar …? ia kthen vetvetja, rënë në grackë të pashpëtimtë.

Lexo më shumë nga

Deklarata Schuman që shënoi Ditën e Evropës

Dita e Evropës, e cila mbahet çdo vit më 9 maj, feston paqen dhe unitetin në Evropë

Global 360

Deklarata Schuman që shënoi Ditën e Evropës

Dita e Evropës, e cila mbahet çdo vit më 9 maj, feston paqen dhe unitetin në Evropë

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Një libër për poetin e pakohë…

“Mes jush Jetoj” është një libër jo i zakonshëm, në përmbajtje dhe në kohë.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Deklarata Schuman që shënoi Ditën e Evropës

Dita e Evropës, e cila mbahet çdo vit më 9 maj, feston paqen dhe unitetin në Evropë