Silvinjo, “Shqiponja e Artë”!

Trajneri Silvinjo është arkitekti i Kombëtares shqiptare, e cila arriti në Finalet e Euro 2024, në Gjermani.


Nga Dash Frashëri

“Shqiponja e Artë”!

Kryeministri Edi Rama dekoroi numrin një të stolit të Shqipërisë, brazilianin Silvinjo, me çmimin “Shqiponja e Artë”, për kontributin e tij në fushatën kualifikuese të Kombëtares kuqezi, që arriti të siguronte një biletë historike për në finalet e “Euro 2024”, në Gjermani.

Teksa mori çmimin e dhënë në Samitin e Diasporës, trajneri Silvinio i përshëndeti fillimisht në shqip të gjithë të pranishmit: “Mirëmbrëma. Shumë faleminderit. Faleminderit të gjithëve”.

“Ti je i pari joshqiptar që po e merr ‘Shqiponjën e Artë’, por jo për çfarë ke bërë, por sepse je një shqiptar që po lind. Me Shqiponjën e Artë të njoftoj se shumë shpejt, do të duhet të pranosh nënshtetësinë shqiptare”, i tha Rama, Silvinjos.


Silvinjo nga ana tjetër e falënderoi Ramën, duke thënë: “Ju falënderoj juve dhe të gjithë shqiptarëve. Marr këtë çmim dhe për mua është një nder i madh“.

BASTI I FITUAR I

PRESIDENTIT DUKA

10 janar 2023. Silvinjo u emërua zyrtarisht trajner i Kombëtares shqiptare! Përmes një konference për media, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka prezantoi trajnerin e ri të ekipit tonë kombëtar, Silvinjo – Sylvio Mendes Campos Júnior, si edhe dy zëvendës-trajnerët, Pablo Javier Zabaleta Girod dhe Dorival Guidoni Junior.

Kemi arritur një marrëveshje për të drejtuar ekipin kombëtar  deri në përfundim të Kampionatit Europian 2024. Jo pa qëllim kontrata është deri në fund të 2024, që tregon që objektivi ynë është i qartë për të marrë pjesë në 2024. Mundësitë tona për të arritur në EURO 2024 janë”, tha Duka gjatë prezantimit.

“Ne kemi shumë dëshirë që të bëjmë mirë, të sjellim rezultate pozitive, që ta çojmë Kombëtaren shqiptare në vendin e duhur. Për këtë arsye jemi këtu. Edhe kur takova Presidentin, këtë pashë tek ai. Dhe mendoj që edhe ai pa tek ne urinë dhe dëshirën për të sjellë rezultate pozitive, për të bërë mirë dhe për t’i dhënë këtij projekti vazhdimësi”, tha Silvinjo.

Silvinjo: Ta çojmë Kombëtaren shqiptare në vendin e duhur

Dhe, Shqipëria nën drejtimin e Silvinjos është tashmë zyrtatisht pjesë e Finaleve të Euro 2024, duke arritur për herë të dytë kompeticionin më të rëndësishëm europian për kombëtaret, pas asaj me italianin Xhani De Biazi në “Francë 2016”. Dhe për më tepër, për herë të parë si kryesuese e grupit, duke lënë pas Çekinë, Poloninë, Moldavinë dhe modestët e Ishujve Faroe.

“Është diçka e bukur që Shqipëria rritet, kemi qenë në një grup shumë të vështirë, por është shumë e bukur, po jetojmë një ëndërr”, tha Silvinjo pas ndeshjes së fundit në grup, ajo kundër Ishujve Faroe.

Tekniku brazilian ka vlerësuar të gjithë futbollistët për arritjen: “Ylli i vërtetë është skuadra, skuadra është ajo që ka bërë këtë arritje deri tani”.

Trajneri Silvinjo është padyshim arkitekti i Kombëtares shqiptare, e cila po kalon një formë të jashtëzakonshme. Braziliani ka arritur t’i japë një tjetër fytyrë kuqezinve teksa bazohet te forca e grupit, me një kimi mes futbollistësh e cila është për t’u patur zili.

***

Silvinjo: Pse vendosa të jetoj në Tiranë

Silvinjo u emërua trajneri i ri i Kombëtares shqiptare teksa vjen pas dy eksperiencave që ka pasur më parë me Olimpik Lionin në Francë dhe Korinthiasin në Brazil.

Tri ditë pas zyrtarimit, Silvinjo tregoi se pse ai vendosi të jetojë në Tiranë, ndryshe nga paraardhësit e tij të huaj: italianët Dosena, De Biazi, Panuçi dhe Reja, kroatët Bariç dhe Kuzhe, gjermani Brigel dhe holandezi Han.

“Sigurisht që më pas u interesova më tepër lexova për këtë vend për Tiranën, nga aty vendosa të jetoj këtu. Sigurisht që kam një punë monitorimi dhe do të udhëtoj për të parë lojtarët, por puna fillon nga këtu. Kombëtarja është ndryshe, ti përfaqëson një vend, prandaj duhet ta jetosh këtë gjë, unë kam patur edhe një eksperiencë me kombëtaren braziliane dhe e kam kuptuar që të përfaqësosh një komb duhet ta kuptosh atë”, tha Silvinjo gjatë një interviste për televizionin “Top Channel”.

Silvinjo u shpreh se familja e tij ndihet si ngjyrat e kombëtares shqiptare, 100% kuqezi.

“Edhe familja ime do të ndihet 100% kuqezi, si ngjyrat e kombëtares shqiptare. Po tentoj të mësoj shqip, por nuk është aspak e thjeshtë”, tha Silvinjo për televizionin “MCN”.

Vajzën e ka në Madrid është në vitin e tretë në fakultet, ndërsa djali është 17 vjeç, tani tani duhet të shkojë në Universitet. Ai luan edhe futboll është mesfushor.

Silvinjo nis punën

Trajneri i ri i Kombëtares, Silvinjo, ka nisur menjëherë nga puna pasi mori zyrtarisht detyrën të hënën. Braziliani së bashku me dy ndihmës-trajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior kanë zhvilluar një takim me të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave, për djem dhe vajza.

Në këtë takim ishin të pranishëm trajneri i Kombëtares së vajzave, Armir Grima, trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, trajneri i Kombëtares U-19, Armando Cungu, trajneri i Kombëtares U-18, Ardi Behari, trajneri i Kombëtares U-17, Ervin Bulku, trajneri i Kombëtares U-16, Agron Kërçova, trajneri i Kombëtares U-15, Armand Damo, trajneri i Kombëtares U-19 për vajza, Kreshnik Krepi, trajneri i Kombëtares U-17, për vajza, Agustin Kola si edhe drejtori i Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, Dritan Babamusta dhe menaxheri Denis Lilo.

Silvinjo: Ja pse më pëlqen rreshtimi 4-3-3!

Trajneri i kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka dhënë një shpjegim të veçantë në faqen “The Coaches Voice” rreth ideve të tij taktike.

Ai ka shpjeguar se pse i pëlqen rreshtimi 4-3-3, pasi sipas tij, ishte ai i cili ndryshonte më shpejt në varësi të lojës ofensive dhe defensive.

“Çdo gjë shërben për një trajner futbolli. Unë kam qenë ish-futbollist që kam luajtur në Spanjë, në Angli e Brazil. Kam punuar në staf teknik në Itali, mendoj se çdo gjë nga kjo të shërben. Pastaj të punosh me emra si Arsen Venger, Frank Rajkard, Guardiola, Roberto Mançini, njerëz që të japin diçka shumë të mirë, janë njerëz të një niveli shumë të lartë, ndërsa ne do të studiojmë futbollin dhe të kërkojmë të ecim para.

Mua më pëlqen të luaj 4-3-3 apo 4-2-3-1, për të gjithë atë që kam përjetuar, por futbolli tani është më dinamik, në futboll tani kërkohen lojtarë që mund të ekzekutojnë 2-3 funksione të ndryshe, që kanë këmbë të shpejta, me cilësi teknike dhe bëjnë që këto numra të zhduken në fushë. Nëse kërkon të bësh presion te mbrojtësit kundërshtarë, ky rreshtim që thashë më sipër ndryshon në 4-4-2 pasi një mesfushor shkon të bëjë presing bashkë me sulmuesin. Gjithçka ndryshon me shpejtësi në futbollin e sotëm”, thotë Silvinjo.

RRUGËTIMI I SILVINJOS NË EURO 2024

Euro 2024, Shqipëria e Silvinjos e nis me humbje!

Kombëtarja u mund me rezultatin 1- 0 nga Polonia në takimin e zhvilluar në Varshavë. Trajneri brazilian i kuqezinjve në të parën e tij me një formacion më sulmues pati edhe debutues si Jasir Asani dhe Anis Mehmeti.  Në të 41’ polakët kaluan në avantazh me Swiderski, i cili depërtoi në prapavijën kuqezi që deri në atë moment ishte shfaqur e sigurtë.

Euro 2024, Shqipëria mposht bindshëm Moldavinë

Më 17 qershor 2023, Kombëtarja shqiptare fitoi 2-0  ndeshjen me përfaqësuesen e Moldavisë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.  Kombëtarja arriti fitoren e parë të eleminatoreve për në Kampionatin Evropian Euro 2024.

Pjesa e parë përfundoi 0-0 pavarësisht rasteve të shumta për shënim nga Kombëtarja shqiptare. Në pjesën e dytë Kombëtarja hyri mjaft agresive në fushë dhe shënoi në minutën e 52-të me Jasir Asanin, i cili goditi bukur nga jashtë zone. 1-0 për Shqipërinë. Në minutën e 76-të, Nedim Bjarami depërtoi mjaft bukur në zonë dhe me një goditje të fortë arriti të mposhtë portierin moldav Railean.

Trajneri Silvinjo nuk e fshehu kënaqësinë për debutimin me fitoren ndaj Moldavise (2-0) përballë tifozëve kuqezi, teksa në intervistën për SuperSport, deklaroi se bashkë me skuadrën kanë ndërmarrë një rrugëtim për të realizuar ëndrrën e pjesëmarrjes në Gjermani 2024.

“Kjo është një pikënisje dhe është e rëndësishme që t’u japim lojtarëve të kuptojnë se mund të arrijmë një objektiv të madh,. Ne jemi një dhe kemi një mundësi të vetme për të arritur objektivin, që është puna në fushë dhe rezultatet”, tha Silvinjo.

Shqipëri e bukur dhe fituese ndaj Ishujve Faroe

Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoin3-1 ndeshjen e tretë të grupit E,  ndaj Ishujve Faroe. Për ekipin shqiptar shënoi Nedim Bajramin në minutën e 20, Asllani në minutën e 51 dhe goli i tretë në minutën e fundit të ndeshjes nga Ernest Muçi. Në fundin e pjesës së parë, Ishujt Faroe barazuan me Faero.

Silvinjo: Lojarët i kanë kuptuar idetë e mia!

Kombëtarja shqiptare arriti të regjistrojë dy fitore në ndeshjet e kualifikueseve të Euro 2024 në qershor, duke mundur Moldavinë 2-0 në shtëpi dhe më pas triumfoi në transfertën e largët të Ishujve Faroe pas atij suksesi në shifrat 3-1.

Sipas trajnerit të Kombëtares, Silvinjo ky është fryt i më shumë se katër muajve punë, që është bërë nga stafi teknik dhe nga skuadra për të përgatitur sa më mirë sfidat zyrtare, ndërkohë që konfirmon se tashmë ai i njeh më mirë lojtarët.

““Mendoj që t’i imponosh idetë skuadrës është diçka që kërkon kohë, jam absolutisht shumë i kënaqur kur nis grumbullimi me skuadrën, sepse kemi mundësi të përmirësohemi. Kjo është një pikënisje, jo një vijë finishi, prej katër muajsh punojmë bashkë me lojtarët. Kemi shumë për të përmirësuar të gjithë, por është një proces. Ata janë futbollistë të fortë, i kuptojnë menjëherë idetë dhe konceptet e futbollit”, tha Silvinjo.

Silvinjo: Kjo është fitorja më e bukur si trajner!

Më 10 shtaror 2023, Kombëtarja fitoi 2-0 kundër Polonisë në “Air Albania”, falë golave të Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut.

Sfida e Tiranës ishte e pesta për dy skuadrat që luajnë në grupin E kualifikues të Euro 2024. Pas kësaj fitoreje kuqezinjtë e Sylvinhos (10 pikë) mbajnë vendin e parë në grup, me dy pikë më shumë se Çekia (8) dhe katër pikë më shumë se Moldavia (8), Polonia e 4-ta me 6 pikë.

“Së pari dua të falenderoj të gjithë shqiptarë, ishte një fitore e të gjithëve, e atyre tifozëve të mrekullueshëm që ishin sot këtu. Ne kemi bërë një ndeshje shumë të bukur, kemi punuar shumë në fushën e lojës”, tha Silvinjo.

Shqipëria shkatërron Çekinë 3 me 0 në “Air Albania”

Shqipëria mundi 3-0 Çekinë, duke u afruar akoma më shumë me finalet e Euro 2024, ku duhen vetëm 2 pikë në 2 ndeshjet e fundit për të siguruar kualifikimin. Golat e Asanit e Seferit i shkaktuan humbjen e parë në këto kualifikuese një rivali direkt në grup.

Një ndeshje perfekte e kuqezinjve që arritën rezultatin e pestë pozitiv radhazi nën drejtimin e Sivinjos që po bën të gjithë të ëndërrojnë pjesëmarrjen e dytë në një turne madhor pas atij të 2016.

Jasir Asani në minutën e nëntë bëri që mbi 20 mijë tifozët e pranishëm në stadiumin Air Albania të shpërthenin në festë, Lojtarët e Kombëtares u kthyen pas pushimit me të njëjtën dëshirë dhe Taulant Seferi realizoi sërish pas një kundërsulmi në të 51’. Në të 73’ ishte sërish Seferi, i cili tundi rrjetën duke goditur thuajse që thuajse në të njëjtin pozicion.

“Ky është një grup që bëhet i fortë çdo ditë e më shumë. Janë karakteristikat e lojtarëve, Uzuni, Seferi, Muçi, Bajrami, janë lojtarë që e kërkojnë shumë sulmin. Kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm por nuk ka mbaruar asgjë. Garë perfekte, por nuk ka mbaruar.  Marrëdhënia me lojtarët dallohet edhe me sy. Ishte shumë e bukur të shikoje shpirtin e garës. Ishte diçka fantastike”, tha Silvinjo pas ndeshjes.

Shqipëria në Finalet e Euro 2024!

17 nëntor 2023. Tashmë është zyrtare, Shqipëria do të jetë pjesë e finaleve të Europianit të vitit 2024, që do të luhen në Gjermani duke nisur nga qershori i vitit të ardhshëm. Kualifikimi është siguruar matematikisht pas barazimit me rezultatin 1-1 në stadiumin “Zimbru” të qytetit të Chișinău përballë Moldavisë.

Një gol i Sokol Cikalleshit në minutën e 24’ ka mjaftuar për t’i dhënë kuqezinjëve mundësinë për të siguruar matematikisht kualifikimin për herë të dytë në finalet e një Europani, pas pjesëmarrjes për herë të parë në finalet e Europianit “Francë 2016” tetë vite më parë.

Shqipëria, barazim të artë ndaj Ishujt Faroe!

Kombëtarja e mbylli si e para si asnjëherë tjetër në grupin kualifikues të Euro 2024 dhe me një rekord pikësh, 15, po aq sa Çekia që u kualifikua si e dyta pas fitores 3 – 0 me Moldavinë. Shqipëria barazoi pa gola me Ishujt Faroe të hënën në stadiumin “Air Albania” i mbushur i tëri dhe me një koreografi fantastike.

Futbollistët u përshëndetën nga tifozët në ceremoninë e organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit me rastin e kualifikimit për herë të dytë në një turne madhor pas Europianit të 2016.

Pas ndeshjes u zbulua edhe logo e Kombëtares Shqiptare për Euro2024 me moton; “Po ku ka si ti o Shqipëria ime”.

Duka: Silvinjo e përmbushi misionin!

“Mua brazilianët nuk më kanë pëlqyer shumë si trajnerë dhe kur ma propozuan nuk isha shumë i bindur. Por ama kur e takova dhe pasi folëm për projektin, atëherë më bindi. Nuk po them se u dashurova me të… Gjithsesi sot po flasim për një mision të përmbushur. Edhe ai si trajner kaq mirë sa tek Shqipëria nuk kishte bërë askund”, tha Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka për italianen Tuttomercatoweb.com.

TAKIMET E MIA ME SILVINJON

Personalisht e kam takuar disa herë, Silvinjon. Sa herë që kam marrë pjesë në konferencat për shtyp, i kam bërë atij pyetje interesante, të cilat ai ka mirëpritur. Surpriza më e bukur që i kam bërë është portreti i tij realizuar me pastela vaji, të cilin ja dhurava para ndeshjes në Moldavi.

______________________

Tiranë, 24 nëntor 2023

Lexo më shumë nga

“CN Traveller”: Tirana dhe Berati mes qyteteve më të lira evropiane për të kaluar pushimet

Shtëpitë e paharrueshme osmane të bardha të Beratit janë krejtësisht unike në ekzistencën e tyre kolektive dhe ndikimin vizual.

Global 360

Baku Kryeqyteti Botëror i Sportit për vitin 2026

Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit, është emëruar Kryeqyteti Botëror i Sportit për vitin 2026 nga Federata Evropiane e Kryeqyteteve dhe Qyteteve…

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Shkolla e shkrimtarit

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

“CN Traveller”: Tirana dhe Berati mes qyteteve më të lira evropiane për të kaluar pushimet

Shtëpitë e paharrueshme osmane të bardha të Beratit janë krejtësisht unike në ekzistencën e tyre kolektive dhe ndikimin vizual.