
Ibrahimaj: 10,5 miliardë lekë për arsimin profesional, sipërmarrjen dhe inovacionin në projektbuxhetin 202
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat projektbuxhetin e institucionit që drejton për vitin 2027, me një fond të përgjithshëm prej 42 miliardë lekësh.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të mbështesë arsimin profesional, sipërmarrjen dhe inovacionin me financim prej 10,5 miliardë lekësh në vitin 2027, ndërsa 600 milionë lekë do të vihen në dispozicion për startup-et.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat projektbuxhetin e institucionit që drejton për vitin 2027, me një fond të përgjithshëm prej 42 miliardë lekësh.
Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj theksoi se një nga prioritetet kryesore mbetet zhvillimi i arsimit profesional dhe përmirësimi i shërbimeve të punësimit, për të cilat janë parashikuar 8,9 miliardë lekë.
“Investimet në shkollat profesionale do të arrijnë në 1,22 miliardë lekë, nga të cilat 742 milionë lekë financim nga buxheti i shtetit dhe 480 milionë lekë në kuadër të bashkëpunimit me KfW-në gjermane”, tha ajo
Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se investimet do të vijojnë në shkollën “Pavarësia” në Vlorë, për të cilën janë parashikuar 158 milionë lekë, në shkollën e re “Karl Gega” në Tiranë me mbi 114 milionë lekë, si dhe në Shkollën Teknike të Korçës me 87 milionë lekë.
Sipas saj, ndërhyrje janë planifikuar edhe në Shkodër, Lushnjë, Kukës dhe Pogradec, ndërsa në programin e investimeve përfshihen projekte të reja në Fier dhe Tiranë.
“Për pajisjen e shkollave me laboratorë, makineri dhe mjete mësimore janë parashikuar 68,8 milionë lekë, me synimin për të përmirësuar formimin praktik dhe për të zgjeruar bashkëpunimin me sipërmarrjen, veçanërisht përmes arsimit dual”, tha Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh se 168 milionë lekë do të investohen në infrastrukturën e shërbimeve të punësimit dhe formimit profesional.
“Ndër projektet kryesore janë Qendra Multifunksionale “Hermann Gmeiner”, me 80 milionë lekë, dhe kampusi i Qendrës së Formimit Profesional, me 45,8 milionë lekë”, tha Ibrahimaj.
Sa i përket mbështetjes së sipërmarrjes dhe inovacionit Ibrahimaj bëri të ditur se për vitin 2027 janë parashikuar 1,64 miliardë lekë.
“Në këtë kuadër, fondi për startup-et do të jetë 600 milionë lekë, me një objektiv prej rreth 170 përfituesish”, tha ajo.
Ibrahimaj bëri të ditur se gjatë vitit 2026 janë regjistruar 1 219 aplikime në këtë skemë, nga të cilat janë financuar 163 startup-e dhe 42 produkte kanë arritur të dalin në treg.
“Një tjetër zhvillim është zgjerimi i modelit TUMO jashtë Tiranës, për të cilin janë parashikuar 160,7 milionë lekë, me synimin për të zgjeruar mundësitë e të rinjve për edukim teknologjik dhe zhvillimin e aftësive digjitale. Ndërkohë, për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme është parashikuar një fond prej 100 milionë lekësh, i orientuar drejt modernizimit të proceseve të prodhimit, përmirësimit të standardeve dhe certifikimit të produkteve. Gjatë vitit 2026, në këtë skemë janë regjistruar 280 aplikime dhe 62 ndërmarrje janë shpallur përfituese”, theksoi Ibrahimaj.
Një projekt i ri, vijoi Ibrahimaj, që nis në vitin 2027 është Laboratori Kërkimor dhe Kantina Eksperimentale, në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, me financim prej 25 milionë lekësh.
“Ky projekt synon të forcojë lidhjen mes kërkimit universitar, inovacionit dhe sektorit prodhues”, tha Ibrahimaj.
Në drejtim të nxitjes së investimeve dhe eksporteve, ministrja Ibrahimaj u shpreh se “janë parashikuar 124,9 milionë lekë. Objektivat përfshijnë realizimin e 140 takimeve me kompani me kapital të huaj, identifikimin e të paktën 70 investitorëve potencialë, organizimin e 18 aktiviteteve promovuese dhe arritjen e 14 marrëveshjeve të bashkëpunimit”, tha Ibrahimaj.
Sa i përket integrimit europian dhe modernizimit të shërbimeve, Ibrahimaj tha se “një tjetër prioritet i projektbuxhetit është përgatitja e ekonomisë shqiptare për integrimin në tregun e përbashkët europian. Shqipëria ka adoptuar aktualisht 94,8% të standardeve të harmonizuara CEN dhe 99,3% të standardeve CENELEC, ndërsa për vitin 2027 synohet adoptimi i 2 578 standardeve të tjera dhe ofrimi i të paktën 43 mijë shërbimeve metrologjike”.
“Për pajisjen e laboratorëve janë parashikuar 10 milionë lekë, ndërsa vijon puna për zgjerimin e njohjes ndërkombëtare të shërbimeve të akreditimit. Aktualisht, 123 organizma të akredituar përfitojnë nga mekanizmat përkatës të njohjes ndërkombëtare. Në funksion të lehtësimit të tregtisë janë parashikuar 100 milionë lekë për vijimin e projektit të Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor, në bashkëpunim me Bankën Botërore. Ndërkohë, për Qendrën Kombëtare të Biznesit janë parashikuar 145,8 milionë lekë, me fokus modernizimin e Regjistrit Tregtar në bashkëpunim me InfoCamere dhe përmirësimin e shërbimeve elektronike”, tha Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh se “projektbuxheti parashikon gjithashtu 46 milionë lekë për Dhomën Ekonomike Kombëtare, si dhe zgjerimin e strukturës përgjegjëse për reformën e koncesioneve dhe partneritetit publik-privat nga 12 në 30 punonjës”.
“Investimet dhe reformat e parashikuara synojnë të rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, të përmirësojnë klimën e biznesit dhe të përgatisin sipërmarrjen për standardet e tregut europian”, tha Ibrahimaj.
Burimi ATSH

















