
Projektligji i ri për investimet në konsultim publik, Ibrahimaj fton bizneset të japin sugjerimet
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se projektligji i ri “Për investimet” është hedhur për konsultim publik

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se projektligji i ri “Për investimet” është hedhur për konsultim publik, duke ftuar bizneset, investitorët, shoqatat e biznesit dhe ekspertët të paraqesin sugjerimet dhe propozimet e tyre.
Në një postim sot në rrjetet sociale, Ibrahimaj theksoi se nisma synon të krijojë kushte më të favorshme për nxitjen e investimeve të reja në Shqipëri, përmes përcaktimit të rregullave të qarta, thjeshtimit të procedurave dhe garantimit të sigurisë për investitorët vendas dhe të huaj.
“Shqipëria ka nevojë për nxitjen e investimeve të reja. Për biznese që rriten, për vende të reja pune. Për më shumë produktivitet dhe për paga më të larta”, u shpreh Ibrahimaj.
Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së grupeve të interesit në hartimin e kuadrit të ri ligjor, duke vlerësuar se sugjerimet dhe propozimet e tyre do të ndihmojnë në krijimin e kushteve më të mira për investimet dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare.
Projektligji është aktualisht në fazën e konsultimit publik, ku palët e interesuara mund të japin kontributin e tyre për përmirësimin e tij.
Burimi ATSH



















