Nga ”AI Agents” te java katërditore e punës, çfarë solli AllWeb 2026 në Tiranë

Me temën “ALL FOR AI & AI FOR ALL”, edicioni i këtij viti solli në Tiranë drejtues të kompanive globale, sipërmarrës, ekspertë të teknologjisë dhe marketingut, duke hapur diskutimin mbi ndikimin e Inteligjencës Artificiale në biznes, kreativitet dhe të ardhmen e punës.


AllWeb Digital Conf 2026 u zhvillua dje në Tiranë, në Arka Art Hotel, në teatrin “Astrit Sula”, duke mbledhur mbi 300 pjesëmarrës nga më shumë se 100 kompani, në një ditë të dedikuar Inteligjencës Artificiale, inovacionit, marketingut dhe transformimit të biznesit.

Konferenca bëri bashkë profesionistë, sipërmarrës dhe ekspertë ndërkombëtarë nga industri të ndryshme, përfshirë fintech, startup-et, sektorin bankar, retail, bizneset e mëdha dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME), duke krijuar një hapësirë për shkëmbim eksperiencash, diskutime dhe networking mes aktorëve të ekosistemit të biznesit dhe teknologjisë.

Nën temën “ALL FOR AI & AI FOR ALL”, konferenca e këtij viti e zhvendosi diskutimin përtej potencialit teknologjik të Inteligjencës Artificiale, duke u përqendruar te mënyrat se si ajo po ndryshon modelet e biznesit, marrëdhëniet me konsumatorët, produktivitetin, kreativitetin dhe organizimin e punës.

Në mesin e folësve të këtij edicioni ishte Samir Mane,billioneri i parë shqiptar,  themelues dhe President i BALFIN Group, i cili ndau perspektivën e tij mbi sipërmarrjen dhe ndikimin e teknologjisë në të ardhmen e ekonomisë dhe tregut të punës.

Gjatë fjalës së tij, Mane parashikoi se java katërditore e punës mund të bëhet realitet brenda 4-5 viteve të ardhshme, ndoshta deri në vitin 2030. Ai bëri të ditur se edhe kompanitë e Grupit BALFIN kanë nisur të punojnë drejt këtij modeli.

“Besoj se në 4-5 vitet e ardhshme, ndoshta edhe në vitin 2030, të gjithë do të punojnë katër ditë në javë. Dhe kjo nuk është thjesht një ide. Në kompanitë e Grupit BALFIN kemi filluar të punojmë për ta arritur këtë”, u shpreh Mane.

Duke folur për Inteligjencën Artificiale, ai theksoi rëndësinë e aksesit të barabartë në këtë teknologji, duke argumentuar se AI duhet të jetë një e mirë publike, e disponueshme për të gjithë dhe në shërbim të njerëzimit. Sipas tij, transformimi teknologjik do të sjellë zëvendësimin e disa profesioneve, por njëkohësisht do të krijojë edhe më shumë mundësi të reja punësimi.

Ekspertë nga kompanitë globale dhe sipërmarrja ndërkombëtare

Në skenën e AllWeb u ngjitën emra me eksperiencë në disa prej kompanive dhe organizatave më të njohura ndërkombëtare.

Todd Rowe, ish-ekzekutiv i Google, Apple, Adobe dhe SAP, ndau perspektivën e tij mbi rritjen e bizneseve dhe ekipeve përmes Inteligjencës Artificiale. Gjatë karrierës së tij në Google, Rowe drejtoi rritjen e një njësie biznesi nga 250 milionë në 8 miliardë dollarë.

Eljona Shkreli, themeluese e H E R Advisory dhe me eksperiencë në J.P. Morgan Private Bank dhe Citi Private Bank, trajtoi çështjen e financimit të startup-eve dhe faktorët që i bëjnë ato tërheqëse për investitorët.

Kremena Yordanova, eksperte e marketingut strategjik dhe lidershipit me eksperiencë në marka si adidas dhe Reebok, solli në vëmendje transformimin e besimit, reputacionit dhe marrëdhënieve me konsumatorët në epokën e Inteligjencës Artificiale.

Diskutimet u pasuruan edhe nga perspektiva e Damjan Danos, themelues i Aqtos, mbi bashkëpunimin mes njerëzve dhe AI Agents; Klaus Cokës, drejtues i AI Platforms në Raiffeisen Bank Albania, mbi kalimin e AI nga eksperimentet në zgjidhje konkrete biznesi; si dhe Boban Ilik, Marketing Engineer në Flow Agency, mbi ndikimin e gjurmëve digjitale në mënyrën se si Inteligjenca Artificiale interpreton markat.

Programi përfshiu gjithashtu diskutime mbi transformimin e kompanive globale, me Alketa Noka Lamçen, si dhe sesione praktike mbi përdorimin e AI në ndërtimin e faqeve të internetit, prodhimin e përmbajtjes dhe analizën e të dhënave. Në këto tema kontribuuan Annie Vickrey, Norik Selimi, Ivan Minić, Dr. Péter Szántó dhe Hugo Faustino, duke sjellë përvoja nga teknologjia, marketingu digjital, sipërmarrja dhe industria kreative.

Për herë të parë, ”AI Agents” si folës në skenën e AllWeb

Një prej risive të edicionit 2026 ishte përfshirja e AI Agents në programin e konferencës. Për herë të parë, krahas folësve njerëzorë, në skenën e AllWeb u prezantuan edhe Dex, agjenti i zhvilluar nga Devabble, dhe Yume, projekti i sipërmarrësit Firdeus Kasaj.

Kjo risi solli një demonstrim konkret të aftësive dhe përdorimeve të agjentëve të Inteligjencës Artificiale, duke e zhvendosur diskutimin nga konceptet teorike drejt aplikimeve praktike në aktivitetin e përditshëm të bizneseve.

AllWeb, një ekosistem që rritet prej vitit 2016

Prej vitit 2016, AllWeb është zhvilluar si një platformë që bashkon komunitetin e marketingut, teknologjisë, komunikimit dhe sipërmarrjes, duke krijuar hapësira për shkëmbim njohurish, bashkëpunime dhe ide të reja.

Gjatë viteve, konferenca ka mirëpritur më shumë se 250 folës, mbi 4,000 pjesëmarrës dhe ka bashkëpunuar me më shumë se 150 marka partnere dhe sponsorë. Aktiviteti i saj është shoqëruar nga mbi 2,200 artikuj mediatikë.

Edicioni i vitit 2026 konfirmoi se Inteligjenca Artificiale nuk është më vetëm një temë për diskutim, por një faktor që po ridimensionon mënyrën se si kompanitë konkurrojnë, krijojnë vlerë dhe organizojnë të ardhmen e tyre.

AllWeb Digital Conf 2026 organizohet nga New Media Digital dhe Business Magazine, me synimin për të lidhur ekspertizën ndërkombëtare me komunitetin e biznesit dhe teknologjisë në Shqipëri dhe rajon.

Marrë nga Business Magazine Albania.

Lexo më shumë nga

Nga ”AI Agents” te java katërditore e punës, çfarë solli AllWeb 2026 në Tiranë

Me temën “ALL FOR AI & AI FOR ALL”, edicioni i këtij viti solli në Tiranë drejtues të kompanive globale,…

Global 360

Eisenkot merr zyrtarisht mandatin për formimin e qeverisë së re

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog i dorëzoi zyrtarisht sot mandatin liderit të partisë Yashar, Gadi Eisenkot, për formimin e qeverisë…

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur feja bëhet instrument gjeopolitik: Kosova përtej simbolikës fetare

Një përgjigje ndaj Albatros Rexhajt. "Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës".

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Nga ”AI Agents” te java katërditore e punës, çfarë solli AllWeb 2026 në Tiranë

Me temën “ALL FOR AI & AI FOR ALL”, edicioni i këtij viti solli në Tiranë drejtues të kompanive globale,…