Ekspozita Ndërkombëtare e Importit të Kinës: Një dritare drejt tregut më të madh të konsumit në botë

Në Shangai të Kinës, në Qendrën Kombëtare të Panaireve dhe Eventeve, zhvillohet në datat 5 – 10 nëntor 2026, edicioni i 9-të i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE).


Nga Prof. Dr. Enriko Ceko

Drejtor Ekzekutiv “Qendra Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm”

Në Shangai të Kinës, në Qendrën Kombëtare të Panaireve dhe Eventeve, zhvillohet në datat 5 – 10 nëntor 2026, edicioni i 9-të i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE). Padyshim që kjo është një nga ngjarjet më të mëdha dhe më të rëndësishme tregtare të Kinës, por kjo veprimtari ka një veçori që e dallon nga veprimtari të tjera tregtare, sepse CIIE është veprimtari tregtare e organizuar në mënyrë të veçantë për të promovuar importet në tregun e madh të Kinës. Në këtë aspekt kjo ekspozitë shërben më së shumti si një platformë ku kompanitë e huaja të shumta, që marrin pjesë, paraqesin produktet, shërbimet dhe teknologjitë e tyre të përparuara te blerësit, importuesit, distributorët dhe partnerët aktualë dhe të mundshëm kinezë.


Në stendën e Azerbajxhanit në Ekspozitën Kombëtare Gjithëpërfshirëse të Ekspozitës së 9-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës, interpretuesit prezantuan këngë dhe valle tradicionale për audiencën/Foto nga VCG

Më poshtë po paraqesim disa të dhëna zyrtare për këtë ngjarje shumë të madhe tregtare me përpasa ndërkombëtare.


Burimi: Qeveria e Shangait, Ministria e Tregtisë dhe agjencia Xinhua

Ekspozita përfshin gjashtë zona kryesore tregtare dhe një zonë të veçantë për inovacionin.

1. Industria inteligjente dhe teknologjia e informacionit. Robotikë, inteligjencë artificiale, automatizim industrial, pajisje elektronike, teknologji digjitale dhe komunikim.

2. Mallrat e konsumit. Produkte të konsumit të përditshëm, kozmetikë, modë, pajisje shtëpiake, produkte luksi dhe marka ndërkombëtare.

3. Ushqime dhe produkte bujqësore. Ushqime, pije, produkte bujqësore, produkte organike, verëra, produkte blegtorale dhe produkte ushqimorë të përpunuara.

4. Automobilët dhe lëvizshmëria inteligjente. Automjete, makina elektrike, bateri, komponentë, teknologji të transportit dhe sisteme inteligjente.

5. Pajisjet mjekësore dhe produktet e shëndetit. Pajisje diagnostikuese, kirurgji robotike, teknologji mjekësore, farmaceutikë dhe produkte shëndetësore.

6. Tregtia e shërbimeve. Financë, sigurime, logjistikë, transport, konsulencë, shërbime profesionale dhe shërbime të tjera ndërkombëtare.

7. Zona e inkubimit të inovacionit. Start-up, teknologji të reja, kërkim shkencor, projekte inovative dhe produkte në fazat e para të zhvillimit.

Një nga treguesit më interesantë të këtij edicioni në këtë ekspozitë është edhe prania e kompanive të mëdha transnacionale shumëkombëshe, të cilat kanë një rëndësi shumë të madhe në ekonominë rajonale dhe botërore.


Automjeti elektrik me drejtim autonom Cybercab i Teslës u prezantua në Ekspozitën e 9-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës./Foto nga VCG

Për shembull:

1. Michelin – Francë. Prezantoi një gomë të prodhuar me 75% materiale të rinovueshme dhe të ricikluara.

2. 3M – SHBA. Prezantoi teknologji për automobilistikën, elektronikën, sigurinë, materialet industriale dhe automatizimin.

3. Tesla – SHBA. Pjesë e ekspozuesve amerikanë në sektorin e automobilave dhe lëvizshmërisë inteligjente.

4. Boston Scientific – SHBA. Pajisje dhe teknologji mjekësore, veçanërisht në fushën e trajtimit dhe diagnostikimit.

5. Caterpillar – SHBA. Prezantoi teknologji digjitale, zgjidhje energjetike dhe shërbime për ndërtimin, minierat dhe infrastrukturën.

6. Nike – SHBA. E pranishme në sektorin e mallrave të konsumit dhe produkteve sportive.

7. Dow – SHBA. Ka marrë pjesë në të nëntë edicionet. Përdor ekspozitën për të gjetur partnerë dhe për të zgjeruar bashkëpunimin industrial në Kinë.

8. Elekta – Suedi. Kompani e pranishme në të nëntë edicionet, me fokus në teknologjitë mjekësore.

Sipas burimeve britanike (english.scio.gov.cn), vetëm kompanitë amerikane kanë zënë një sipërfaqe më shumë se 50,000 m² hapësira ekspozimi, duke mbajtur vendin e parë për këtë tregues për të tetin vit radhazi.


Pavijoni i Kanadasë në Ekspozitën e 9-të Ndërkombëtare të importit të Kinës/Foto nga VCG

Në veprimtaritë e shumta që organizohen përgjatë ditëve të kësaj ekspozite marrin pjesë përfaqësues nga më shumë se 162 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare dhe 69 vende dhe organizata ndërkombëtare janë pjesëmarrës në këtë ekspozitë.

Në këtë edicion, vende të ftuara nderi janë Kanadaja dhe Sri Lanka, ndërsa për herë të parë, në këtë ekspozitë marrin pjesë Moldavia, Rumania, Seychelles, Gaboni, Somalia dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Mjaft interesant paraqitet fakti se edhe biznese nga vende të vogla kanë mundësi që të paraqesin produktet dhe shërbimet e tyre në këtë ekspozitë, duke treguar potencialin e tyre për (1) produktet bujqësore dhe ushqimore, (2) turizmin dhe potencialin e investimeve, (3) produktet industriale, (4) teknologjitë dhe shërbimet dhe (5) markat tregtare dhe identitetin ekonomik.

Duke u nisur edhe nga treguesit e kësaj ekspozite një rëndësi shumë të madhe praqet fakti se kjo veprimtari nuk është vetëm ekspozim produktesh në stenda, por para së gjithash një mekanizëm për të lidhur kërkesën me ofertën.


Pavioni i Sri Lankës në Ekspozitën e 9-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës/Foto nga VCG

Qëllimi kryesor i organizimit të kësaj ekspozite gjigande dhe madhështore është (1) rritja e importeve në Kinë, sepse Kina synon të zgjerojë furnizimin e tregut të saj me produkte dhe shërbime të huaja cilësore dhe kjo është një dëshirë e Kinës për të krijuar edhe më shumë mundësi për kompanitë ndërkombëtare, (2) tërheqja e teknologjive dhe inovacionit nga vende të tjera, sepse Kina ka si objektiv zhvillimor të ofrojë për kompanitë e huaja mundësi sa më reale që këto kompani të paraqesin teknologji të reja dhe të krijojnë bashkëpunime me industrirë kineze për këto teknologji, (3) tërheqja e investimeve të huaja dhe e partneriteteve të mundshme tregtare dhe të investimeve me anë të kontakteve B2B (business to business) në mënyrë që këto kompani të mund të realizojnë dhe zgjerojnë marrëveshje tregtare, sipërmarrje të përbashkëta, investime dhe rrjete shpërndarjeje, (4) diversifikimi i furnitorëve dhe zgjerimi i zinxhirëve të furnizimit, duke krijuar mundësi për të importuar nga një numër më i madh vendesh, për të zgjeruar burimet e furnizimit dhe (5) forcimi i marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare, duke patur parasysh që kjo ekspozitë shërben edhe si një instrument tepër i rëndësishëm dhe unik diplomacie ekonomike sepse me anë të pjesëmarrjes aktive, qeveritë, kompanitë, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare kanë mundësi të komunikojnë me njëra tjetrën dhe të gjejnë ura bashkëpunimi e mirëkuptimi.

Pikërisht me anë të plotësimit të këtyre qëllimeve, kjo ngjarje tregtare me përmasa ndërkombëtare ka arritur rezultate të konsiderueshme në krijimin e mundësive tregtare dhe në tërheqjen e kompanive ndërkombëtare, por suksese i plotë në fakt vjen padyshim vetëm pas përfundimit të kësaj veprimtarie dhe do të mund të matet realisht me vlerën kumulative të marrëveshjeve të realizuara, kontratat e nënshkruara, rritjen e importeve reale dhe me efektet afatgjata mbi investimet, teknologjitë dhe konkurrencën. Për këtë mjafton që të përmendim vetëm një shifër nga edicioni i një viti më parë i kësaj ekspozite, shifra prej më shumë se 83.49 miliardë dollarë të mishëruar në kontrata, porosi dhe importe të realizuara. Padyshim që për vitin 2026 dhe në vazhdim kjo shifër pritet të jetë shumë më e lartë.

Nëse shikojmë mundësitë që paraqet kjo ekspozitë në mënyrë specifike për Shqipërinë, padyshim që mund të themi se nga Shqipëria mund të dërgohen në Kinë produkte të tilla si vaj ulliri me cilësi premium, produkte ushqimore të përpunuara me cilësi të lartë, bimë mjekësore, verëra të ndryshme cilësore, shërbime IT dhe shërbime të tjera profesionale dhe konsulence, etj, por në rastin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të vogla, por që kanë kapacitete dhe mundësi, nuk mjafton vetëm paraqitja në ekspozitë sepse për të tregtuar në tregjet ndërkombëtare, përfshirë edhe tregun kinez, produktet dhe shërbimet e këtyre vendeve duhet të pajisen me çertifikime dhe standarde të sigurisë ushqimore, tw kenë kapacitete prodhues, logjistikë, çmime konkurruese, në mënyrë që të bëhen partnerë të besueshëm për tregun e madh të Kinës. Për Shqipërinë dhe vendet e tjera të kësaj natyre, pjesëmarrja në këto ekspozita dhe specifikisht në ekspozitën vjetore të Shangait, duhet të jetë pjesë e një strategjie të kujdesshme kombëtare të eksporteve dhe jo thjesht një aktivitet promocional, sepse këto vende edhe pse e kanë të nevojshme veprimtarinë promocionale në tregun kinez, më së shumti kanë nevojë për partnerë tregtarë dhe në rastin konkret, Kina është një treg aq i madh sa këtë partneritet ajo e garanton për çfarëdo sasie, duke patur parasysh se Kina mund të thithë vetëm dhe vetëm produkte dhe shërbime cilësore, sepse tregu kinez tashmë është një treg i madh dhe i sofistikuar në lidhje me kërkesën, cilësinë dhe çmimet.

Edhe pse kjo ekspozitë kaq e madhe ka rëndësi ekonomike, financiare e tregtare, apo edhe diplomatike, në të vërtetë ajo ka një rëndësi shumë të madhe edhe për modelin që ofron dhe që përfaqëson, sepse në një kohë kur në konturet e ekonomive rajonale dhe botërore duken hijet e (1) tensioneve tregtare, (2) proteksionizmit, (3) ndryshimeve të panevojshme në zinxhirët e furnizimit dhe (4) në lidhje me konkurrencën teknologjike, Kina po përdor platforma të tilla për të demonstruar se tregu i saj mbetet i gjithmonë eficient dhe i hapur.

Kina nuk është se kërkon thjesht produkte, teknologji, kapital, partnerë dhe burime të reja furnizimi për ekonominë e vet. Jo. Në fakt Kina, në aspektin e ngushtë ekonomik, mund të bëjë gjithçka vetë (dhe këtë ajo e ka vërtetuar më së miri), por kjo ekspozitë dhe të tëra veprimtaritë që Kina ndërmerr për hapjen e tregut të saj ndaj botës i shikon si (1) instrumente të tregtisë ndërkombëtare, (2) instrumente të diplomacisë ekonomike, (3) instrumente të tërheqjes së investimeve, (4) instrumente të konkurrencës teknologjike dhe (5) instrumente të pozicionimit sa më të përshtatshëm të Kinës në ekonominë globale, me synimin se “së bashku mund t’a bëjmë më mire” dhe për këto arsye, kjo ekspozitë, nuk është thjesht një ekspozitë ku vendet dhe bizneset paraqesin produktet dhe shërbimet e tyre, por është një platformë reale ku konkurrenca ndërkombëtare për tregje, teknologji, investime dhe partneritete, merr një formë konkrete ekonomike.

Rëndësia e kësaj veprimtarie me përmasa gjigande ndërkombëtare duket edhe në fjalën kryesore të hapjes së kësaj ekspozite, që u mbajt nga ana e Zëvendëskryeministrit kinez Ding Xuexiang, gjithashtu anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, fjalë në të cilën ai theksoi nevojën për “përpjekje të përbashkëta për të arritur tregti të ekuilibruar përmes (1) hapjes më të madhe të tregut, (2) bashkëpunimit më të thellë të investimeve, (3) inovacionit dhe (4) heqjes së barrierave tregtare, sepse (a) globalizimi ekonomik po përballet me erëra të vështira, (b) çekuilibrat në zhvillimin global mbeten të theksuara dhe (c) rendi ekonomik dhe tregtar ndërkombëtar po ndikohet rëndë”. Me këtë rasti ai u bëri thirrje vendeve (1) të ndajnë mundësitë e tregut, (2) të rrisin hapjen dhe lidhshmërinë, (3) të shfrytëzojnë më mirë avantazhet e tyre krahasuese përkatëse dhe (4) të promovojnë ekuilibrin, duke e bërë tortën ekonomike më të madhe së bashku, duke synuar (a) më shumë investime dhe përpjekje për të optimizuar paraqitjen ndërkufitare të industrive, (b) për të krijuar kushte të favorshme për bizneset dhe (c) për të promovuar ekuilibrin përmes integrimit në zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit.

Burimi CGTN

Lexo më shumë nga

Ekspozita Ndërkombëtare e Importit të Kinës: Një dritare drejt tregut më të madh të konsumit në botë

Në Shangai të Kinës, në Qendrën Kombëtare të Panaireve dhe Eventeve, zhvillohet në datat 5 – 10 nëntor 2026, edicioni…

Global 360

Eisenkot merr zyrtarisht mandatin për formimin e qeverisë së re

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog i dorëzoi zyrtarisht sot mandatin liderit të partisë Yashar, Gadi Eisenkot, për formimin e qeverisë…

Diplovista

Rama për “Kathimerini”: Nuk do të jap dorëheqjen, një pakicë po i vë flakën vendit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kur feja bëhet instrument gjeopolitik: Kosova përtej simbolikës fetare

Një përgjigje ndaj Albatros Rexhajt. "Pse feja nuk duhet të bëhet busull e orientimit gjeopolitik të Kosovës".

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Ekspozita Ndërkombëtare e Importit të Kinës: Një dritare drejt tregut më të madh të konsumit në botë

Në Shangai të Kinës, në Qendrën Kombëtare të Panaireve dhe Eventeve, zhvillohet në datat 5 – 10 nëntor 2026, edicioni…