
Priamo Bollano vlerësohet me titullin “Nderi i Akademisë”
Përmes një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Athinë, iu dha diploma e mirënjohjes “Nderi i Akademisë”, prof. dr. Priamo Bollanos. Ky vlerësim iu dha në 90-vjetorin e lindjes.

Përmes një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Athinë, iu dha diploma e mirënjohjes “Nderi i Akademisë”, prof. dr. Priamo Bollanos. Ky vlerësim iu dha në 90-vjetorin e lindjes.
Ceremoninë e çeli ambasadorja Luela Hajdaraga, e cila i uroi mirëseardhjen delegacionit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prof. dr. Bollanos dhe familjes së tij, si dhe miqve të shumtë të profesorit.
Pasi foli për vlerat e prof. dr. Bollanos, ambasadorja Hajdaraga ftoi akademik Skënder Gjinushin, kryetar i ASHSH-së për të dhënë titullin e lartë të mirënjohjes akademike.
Ky titull iu jepet personaliteteve të shquara shkencore nga fusha të ndryshme, për kontributet e tyre në vijimësi.
Motivacioni i dedikuar për prof. dr Bollanon ishte: për rolin thelbësor në modernizimin e arsimit në fushën e shkencave ekonomike, forcimin e metodologjisë shkencore dhe etikës profesionale në institucionet e arsimit të lartë, administratën publike, institucionet kërkimore-shkencore, duke ndikuar drejtpërdrejt në formimin e brezave të ekonomistëve dhe studiuesve…”.
Në fjalën përshëndetëse profesor Bollano falënderoi ASHSH për vlerësimin e lartë si dhe Ambasadën e Republikës së Shqipërisë si organizuese e veprimtarisë. Ai bëri një përshkrim mbresëlënës të jetës së tij akademike dhe shoqërore, për sfidat me të cilat është përballur dhe arritjet e veprimtarisë kërkimore shkencore, administrative e shtetërore.
Burimi ATSH



















