
Shkëmbim automatik i informacionit financiar me BE-në, 40 milionë lekë për infrastrukturën teknologjike
Shqipëria synon të krijojë një sistem për shkëmbimin automatik të informacionit mbi llogaritë financiare me vendet e Bashkimit Evropian dhe juridiksione të tjera, me qëllim rritjen e transparencës tatimore dhe luftën kundër evazionit fiskal.

Shqipëria synon të krijojë një sistem për shkëmbimin automatik të informacionit mbi llogaritë financiare me vendet e Bashkimit Evropian dhe juridiksione të tjera, me qëllim rritjen e transparencës tatimore dhe luftën kundër evazionit fiskal.
Projektligji “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”, i propozuar për konsultim publik, përcakton rregullat për mbledhjen, verifikimin dhe raportimin e të dhënave financiare, si dhe përgjegjësitë e institucioneve që do të marrin pjesë në këtë proces.
Sipas projektligjit, bankat dhe institucionet e tjera financiare do të duhet të identifikojnë llogaritë që përmbushin kriteret për raportim, të verifikojnë të dhënat e klientëve dhe të përcaktojnë rezidencën e tyre tatimore. Për këtë qëllim, ato do të kërkojnë dokumentacionin dhe vetëdeklarimet përkatëse nga mbajtësit e llogarive.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të jetë përgjegjëse për administrimin e informacionit të raportuar dhe shkëmbimin e tij me autoritetet tatimore të vendeve të tjera. Ky proces synon të përmirësojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të ndihmojë në identifikimin e rasteve të mundshme të shmangies së detyrimeve tatimore.
Projektligji parashikon edhe kontrolle për zbatimin e detyrimeve, masa administrative për shkeljet dhe rregulla për ruajtjen e konfidencialitetit dhe mbrojtjen e të dhënave personale si dhe gjoba deri në 1 milion lekë për deklarime të rreme ose pengim të kontrolleve.
Nisma synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së dhe me Standardin e Përbashkët të Raportimit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Ajo përmban 25 nene dhe parashikon një kosto prej 40 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, kryesisht për krijimin e infrastrukturës teknologjike të nevojshme për shkëmbimin elektronik të informacionit.
Sipas relacionit, efekti financiar i parashikuar për zbatimin e nismës është 40 milionë lekë, të cilat do të përdoren kryesisht për zhvillimin e infrastrukturës teknologjike të nevojshme për shkëmbimin elektronik të informacionit tatimor me shtetet anëtare të BE-së. Financimi parashikohet të përballohet nga buxheti i shtetit.
Projektligji përcakton se hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa efektet e tij lidhur me detyrimet që burojnë nga regjimi i Bashkimit Evropian fillojnë nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Nisma do t’i nënshtrohet konsultimit publik dhe shqyrtimit me institucionet dhe grupet e interesit të përfshira në zbatimin e saj.
Marrë nga ATSH


















