
Ndërtimi i Durana Tech Park nis në Xhafzotaj, në një truall shtetëror prej 80 hektarësh
Drejtorja ekzekutive e Durana Tech Park, Florenca Haxhi, deklaroi sot se ky park synon të pozicionojë Shqipërinë si një qendër rajonale të inovacionit dhe teknologjisë.

Drejtorja ekzekutive e Durana Tech Park, Florenca Haxhi, deklaroi sot se ky park synon të pozicionojë Shqipërinë si një qendër rajonale të inovacionit dhe teknologjisë.
Durana Tech Park është krijuar mbi bazën e ligjit “Për parqet teknologjike dhe shkencore” të vitit 2022 dhe është ndërtuar duke u mbështetur në analizën e modeleve më të suksesshme ndërkombëtare. Në këtë kuadër, u vendos që parku të niste fillimisht si një platformë virtuale, për të evoluar më pas drejt një modeli hibrid, me prani fizike dhe virtuale.
Aktualisht, parku operon në fazën e tij virtuale, ku kompani, startup-e, universitete dhe nomadë digjitalë mund të regjistrohen dhe të bashkëveprojnë përmes platformës zyrtare.
“Pjesa virtuale do të vazhdojë të ekzistojë gjithmonë. Kompanitë që duan të jenë 100% virtuale do ta kenë këtë mundësi edhe pas ndërtimit të infrastrukturës fizike”, u shpreh Haxhi, gjatë një interviste në media.
Përveç paketës së lehtësive fiskale, që përfshin tatimfitim zero për 15 vjet, paga të patatueshme dhe kontribute të reduktuara të sigurimeve shoqërore për punonjësit e IT-së, vlera kryesore që ofron Durana Tech Park mbetet rrjeti i bashkëpunimit.
Platforma krijon mundësi lidhjeje mes kompanive, startup-eve, institucioneve akademike dhe partnerëve potencialë të biznesit.
“Ajo që tërheq më shumë është ndërtimi i këtij “network-u”. Kompanitë ndërkombëtare kërkojnë marrëdhënie të ngushta me universitete ose mundësi bashkëpunimi me startup-e”, shpjegoi drejtoresha.
Parku është i hapur për katër kategori kryesore: kompani që operojnë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit; startup-e; nomadë digjitalë; si dhe universitete dhe institute kërkimore.
Deri më tani, interes kanë shprehur 142 kompani, shumica prej tyre të huaja, nga ShBA, Italia, Gjermania, Estonia dhe vende të tjera. Janë nënshkruar kontrata me 53 kompani, ndërsa 25 të tjera ndodhen në fazën përfundimtare të procesit.
“Po punojmë për të përafruar kurrikulat universitare me nevojat e tregut të punës që krijohen brenda parkut”, tha Haxhi, duke shtuar se Durana Tech Park është gjithashtu në proces aplikimi për fonde ndërkombëtare, përmes konsorciumeve me universitete.
Sipas planit të zhvillimit, ndërtimi fizik i parkut do të nisë në zonën e Xhafzotajt, në një truall shtetëror prej rreth 80 hektarësh. Faza e parë do të përfshijë 14 hektarë.
Përpara nisjes së punimeve, drejtuesit e parkut do të organizojnë takime me kompanitë e regjistruara, me qëllim evidentimin e nevojave specifike për hapësirat fizike.
Duke iu përgjigjur kritikave se parku mund të mbetet vetëm virtual, Haxhi theksoi se projekti është ndërtuar mbi baza të forta ligjore dhe modele të suksesshme ndërkombëtare.
“Durana është një hap i duhur për Shqipërinë. Nëpërmjet saj mund të krijojmë inovacion këtu dhe ta eksportojmë jashtë vendit. Të rinjtë mund të punojnë për kompani globale pa qenë të detyruar të largohen”, u shpreh ajo.
Durana Tech Park përfaqëson një model të ri zhvillimi për ekonominë shqiptare, duke kombinuar incentivat fiskale me fuqinë e bashkëpunimit dhe inovacionit, me synimin për ta kthyer Shqipërinë në një magnet për teknologjinë e lartë në rajon.
Marrë nga ATSH



















