
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me vizitorë nga çdo cep i globit
Muzeu ka shënuar një rritje të vizitueshmërisë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” gëlon me turistë nga çdo cep i globit. Në një video që shpërndau ministri Gonxhja në rrjetet sociale dallohet fluksi i lartë i vizitorëve në objektet e trashëgimisë kulturore të qytetit të Krujës.
Ndalesa në këtë muze është pjesë e itinerarit të pjesës më të madhe të turistëve që shkelin në vendin tonë. Së bashku me Muzeun Etnografik, të restauruar rishtazi, si edhe Pazarin karakteristik, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ka shënuar një rritje të vizitueshmërisë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Përveç vizitorëve nga vende evropiane si Italia e Spanja, një vend të rëndësishëm zënë edhe vizitorët nga Kina e largët, Kanadaja dhe SHBA.
Kruja njihet për turizmin historik njëditor, por me shtimin e strukturave akomoduese turistët po qëndrojnë më gjatë në këtë qytet historik. Pazari karakteristik i Krujës me rrugicat e ngushta me kalldrëm, ku ofrohen punime artizanale tradicionale, është një ndër të preferuarit e turistëve.
Burimi ATSH