
Shqipëria feston në Athinë
Historia, diplomacia dhe kultura shqiptare në zemër të Athinës

Me rastin e 114-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, 82-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë dhe Ditës së Forcave të Armatosura, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi organizoi pritjen tradicionale gala në ambientet e Grande Bretagne Hotel.

POSTIMI I AMBASADËS SHQIPTARE
Me rastin e 114-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, 82-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë dhe Ditës së Forcave të Armatosura, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi organizoi pritjen tradicionale gala në ambientet e Grande Bretagne Hotel.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja Hajdaraga përcolli krenarinë për historinë dhe trashëgiminë tonë kombëtare, por dhe mirënjohjen për kontributin e brezave, të burrave dhe grave që ndërtuan Shqipërinë dhe mbajtën gjallë ëndrrën e saj evropiane. Ajo nënvizoi se përparimi i vendit dhe ritmet e larta të zhvillimit na afrojnë gjithnjë e më shumë këtë aspiratë. Në këtë rrugëtim, vlerësoi mbështetjen e qëndrueshme të Greqisë dhe rëndësinë e dialogut konstruktiv dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve.

Kjo pritje kremtoi gjithashtu 55-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë. Një marrëdhënie që mbështetet jo vetëm në dialogun politik dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, por mbi të gjitha në lidhjet e kahershme njerëzore mes popujve tanë. Familjet, miqësitë dhe komunitetet që ndërtojnë ura çdo ditë përtej kufijve mbeten kapitali më i çmuar dhe garancia më e qëndrueshme e fqinjësisë së mirë mes dy vendeve.
Nderoi me praninë e saj Ministrja e Turizmit e Republikës së Greqisë, znj. Olga Kefalogianni, e cila përcolli, në emër të Qeverisë greke, urimet më të mira për popullin shqiptar me rastin e Festave Kombëtare. Të pranishëm ishin gjithashtu, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme për Diplomacinë Ekonomike, z. Harry Theoharis, Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Anastas, përfaqësues të parlamenteve dhe institucioneve qendrore dhe vendore të të dy vendeve, trupit diplomatik, dhomave të biznesit, sipërmarrës të mirënjohur shqiptarë e grekë me aktivitet rajonal e ndërkombëtar, si dhe personalitete të kulturës, artit, shkencës dhe komunitetit shqiptar në Greqi.
Arti dhe kultura shqiptare i dhanë mbrëmjes një shkëlqim të veçantë!
Një udhëtim muzikor, nën drejtimin artistik të kompozitorit Aulon Naçi, ndërthuri muzikën e filmave me motivet e traditës shqiptare, në një kolazh veprash që solli në skenë pasurinë dhe emocionin e muzikës sonë. Në këtë performancë spikatën edhe interpretimet e Vendim Kapaj dhe Artan Shabani, së bashku me instrumentistët nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe RTSH.
Me zërin e saj karakteristik dhe energjinë, Eneda Tarifa, e shoqëruar nga banda e saj, elektrizoi atmosferën, duke e kthyer skenën në një festë muzike, emocionesh dhe ritmesh.
Një notë elegance dhe harmonie solli kuarteti i violinave Encord, me interpretimin e tij plot finesë.
Tradita.al dhe Ansambli i Valleve Shqiponja sollën magjinë e folklorit shqiptar, përmes valleve dhe veshjeve tradicionale, ndërsa ekspozita fotografike i ofroi publikut një tjetër dritare përmes së cilës të zbulonte bukuritë dhe identitetin e Shqipërisë.
Në këtë mbrëmje, muzika, arti dhe tradita u bënë ambasadorë të Shqipërisë, duke përcjellë në zemër të Athinës identitetin, pasurinë kulturore dhe shpirtin krijues të vendit tonë. Një festë e miqësisë dhe e vlerave që na bashkojnë përtej kufijve.
Gëzuar Festat Kombëtare! Rroftë Shqipëria!
🇦🇱


















