
Spahiu: Dyfishojmë pagesën e shërbimit të rojës për rreth 400 mjekë të urgjencës në vitin 2027
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, shprehu sot mirënjohjen për të gjithë punonjësit që shërbejnë në krye të detyrës, me një vlerësim të veçantë për ekipet mjekësore të shërbimit të urgjencës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, shprehu sot mirënjohjen për të gjithë punonjësit që shërbejnë në krye të detyrës, me një vlerësim të veçantë për ekipet mjekësore të shërbimit të urgjencës.
Përmes një videomesazhi, Spahiu theksoi rëndësinë e gatishmërisë dhe përkushtimit të ekipeve të urgjencës në mbrojtje të jetës së qytetarëve.
“Mirënjohje për të gjithë ata që i shërbejnë Shqipërisë, duke qenë në krye të detyrës, veçanërisht ekipeve mjekësore të shërbimit të urgjencës”, u shpreh Spahiu.
Ajo theksoi se forca e shtetit matet edhe përmes gatishmërisë për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve në çdo moment.
“Shteti më i afërt që njeh njeriu është mjeku i urgjencës në tre të mëngjesit. Aty matet gatishmëria e vetë shtetit”, deklaroi ministrja.
Spahiu bëri të ditur se mirënjohja ndaj bluzave të bardha duhet të shoqërohet edhe me vendime konkrete. Sipas saj, në buxhetin e vitit 2027 është parashikuar dyfishimi i pagesës së shërbimit të rojës për rreth 400 mjekë të urgjencës.
“Sot në ditën e madhe të shtetit shqiptar dua t’ju shpreh mirënjohjen time të gjithë atyre që janë në krye të detyrës. Por mirënjohja duhet të shprehet edhe me vendime konkrete. Në buxhetin e vitit 2027 kemi parashikuar dyfishimin e pagesës së shërbimit të rojës për rreth 400 mjekë të urgjencës. Shqipërinë e ndërtojmë çdo ditë, secili në detyrën e vetë. Dhe bluzat e bardha e bëjnë këtë duke mbrojtur gjënë më të çmuar, jetën”, u shpreh Spahiu.
Burimi ATSH

















