
Peleshi për plagosjen e deputetit Hoti: Hetim të shpejtë e të paanshëm
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi kërkoi mbrëmjen e sotme nga organet kompetente, hetim të shpejtë dhe të paanshëm për rrethanat ku deputeti i PD, Kliti Hoti mbeti i plagosur gjatë protestës.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi kërkoi mbrëmjen e sotme nga organet kompetente, hetim të shpejtë dhe të paanshëm për rrethanat ku deputeti i PD, Kliti Hoti mbeti i plagosur gjatë protestës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Peleshi i uroi shërim të shpejtë deputetit Hoti dhe i shprehu solidaritetin e plotë, atij dhe familjes së tij.
“Me keqardhje dhe shqetësim mësova për lëndimin e deputetit Kliti Hoti gjatë protestës së sotme në Tiranë. I uroj shërim të shpejtë dhe i shpreh solidaritetin tim të plotë, atij dhe familjes së tij. Kërkoj nga organet kompetente, një hetim të shpejtë, të paanshëm dhe transparent për rrethanat e këtij incidenti dhe të çdo lëndimi tjetër të sotëm”, deklaron Peleshi.
Kryeparlamentari thekson se “nëse ka pasur shkelje, përgjegjësia duhet vendosur sipas ligjit, kushdo qoftë ai që i ka kryer”.
“E drejta e protestës paqësore është e garantuar nga Kushtetuta dhe duhet respektuar. Po ashtu, asnjë formë dhune nuk mund të justifikohet”, përfundon reagimin kryetari i Kuvendit, Peleshi.
Burimi ATSH


















