
Begaj uron Ditën e Çlirimit: Dëshmorët e Atdheut, pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare
Presidenti Bajram Begaj uroi sot shqiptarët për Ditën e Çlirimit, duke përkujtuar të rënët për lirinë e atdheut.

Presidenti Bajram Begaj uroi sot shqiptarët për Ditën e Çlirimit, duke përkujtuar të rënët për lirinë e atdheut.
Kreu i Shtetit zhvilloi homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të kombit dhe vendosi një kurorë me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”.
Në mesazhin e përcjellë për këtë ditë të shënuar, Presidenti Begaj theksoi, ndër të tjera, detyrimin e çdo brezi për nderimin e dëshmorëve dhe ruajtjen e amanetit të tyre, lirinë.
“Sot, ne nderojmë kujtimin e trimave që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë; bij dhe bija të këtij vendi, që në një nga periudhat më të vështira të historisë sonë, zgjodhën të vendosnin lirinë e atdheut mbi jetën e tyre”, u shpreh Begaj.
Presidenti theksoi se sakrifica e tyre përbën një nga amanetet më të shenjta të historisë.
“Ata janë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare. Ne kemi detyrimin të nderojmë përjetësisht kujtimin e tyre, të mbajmë gjallë veprën e tyre, lirinë, dhe t’ua përcjellim këtë amanet brezave që vijnë”, u shpreh Presidenti në mesazhin e tij për Ditën e Çlirimit të Shqipërisë.

















