
Kazakistani në një cikël të ri historik: reformat, zhvillimi dhe mundësitë për Shqipërinë
Marrëdhëniet ndërmjet Kazakistanit dhe Shqipërisë kanë tashmë një bazë diplomatike prej më shumë se tri dekadash

Nga Dr. Redion Luli
Ekspert i së drejtës ndërkombëtare
Në vitin e 35-vjetorit të Pavarësisë, Kazakistani po ndërmerr një proces transformimi që lidh ndryshimet institucionale me modernizimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Në vlerësimin tim, Mesazhi i Presidentit Kassym-Jomart Tokayev, “Prioritetet aktuale të Kazakistanit në një cikël të ri historik”, i mbajtur më 28 tetor 2026, duhet lexuar pikërisht përmes kësaj lidhjeje.
Për Shqipërinë, ky proces paraqet interes si për studimin e përvojave të qeverisjes, ashtu edhe për identifikimin e mundësive të bashkëpunimit me një partner në Azinë Qendrore.
Tryeza e rrumbullakët e organizuar më 25 nëntor në Tiranë nga Ambasada e Kazakistanit krijoi hapësirë për diskutimin e këtyre zhvillimeve me përfaqësues të institucioneve shtetërore, komunitetit akademik dhe mediave shqiptare.
Ambasadori Iskander Aisariyev prezantoi prioritetet e Mesazhit në kontekstin e rrugës së përshkuar nga vendi gjatë 35 viteve të Pavarësisë.
Përvoja e vizitës sime në Kazakistan dhe shkëmbimi i mendimeve gjatë kësaj veprimtarie përbëjnë pikënisjen e këtij reflektimi mbi marrëdhënien ndërmjet reformave, institucioneve dhe zhvillimit.
Në këndvështrimin juridik, një zhvillim me rëndësi është hyrja në fuqi e Kushtetutës së re më 1 korrik 2026 dhe kalimi në një arkitekturë të re institucionale. Interesi i pjesëmarrësve në tyrezën e rrumbullakët për parlamentin e ri njëdhomësh, Kurultai, u përqendrua te kompetencat, organizimi i punës dhe vendi i tij në sistemin institucional. Këto janë çështje thelbësore, sepse qëndrueshmëria e institucioneve lidhet me qartësinë e përgjegjësive, cilësinë e ligjbërjes dhe aftësinë për të ndjekur zbatimin e politikave publike.
Përmasat ekonomike të Kazakistanit i japin peshë kësaj agjende. Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar të cituara në Mesazh, prodhimi i brendshëm bruto i Kazakistanit në vitin 2026 pritet t’i afrohet 400 miliardë dollarëve amerikanë, ndërsa PBB-ja për frymë pritet të tejkalojë 19 mijë dollarë. Po sipas dokumentit, rezervat e arit dhe valutës, së bashku me aktivet e Fondit Kombëtar, i kanë tejkaluar 130 miliardë dollarët.
Këto të dhëna tregojnë kapacitetin financiar për të mbështetur investime afatgjata, ndërsa rëndësia e tyre për qytetarët lidhet me mënyrën se si shndërrohen në shërbime, punësim dhe mundësi ekonomike.
Në këtë kuadër, iniciativa “Ndërtimi për Popullin” përfaqëson një nga drejtimet kryesore të Mesazhit. Për modernizimin e infrastrukturës parashikohet të ndahen rreth 6,5 trilionë tenge nga Fondi Kombëtar deri në fund të vitit 2029, duke përfshirë objekte sociale, transporti dhe shërbimesh komunale. Rëndësia ekonomike e një programi të tillë shtrihet përtej vetë sektorit të ndërtimit: rrugët funksionale, furnizimi i qëndrueshëm me energji dhe shërbimet cilësore krijojnë kushte për zhvillimin e ndërmarrjeve dhe rritjen e produktivitetit.
Për këtë arsye, cilësia e projekteve, transparenca dhe koordinimi institucional janë pjesë thelbësore e suksesit të tij.
Lidhja ndërmjet sigurisë juridike dhe aktivitetit ekonomik bëhet veçanërisht e dukshme te sipërmarrja. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë rreth 40 % të PBB-së së Kazakistanit, çka e bën mbështetjen e tyre një çështje me ndikim të gjerë shoqëror.
Rregullat e parashikueshme, mbrojtja e të drejtave dhe procedurat administrative efikase ndihmojnë bizneset të planifikojnë, të investojnë dhe të krijojnë vende pune. Nga kjo pikëpamje, reformat institucionale dhe përmirësimi i klimës së investimeve përforcojnë njëra-tjetrën.
Një tjetër element strategjik është objektivi për arritjen e një suficiti të qëndrueshëm të energjisë elektrike deri në vitin 2029. Modernizimi i kapaciteteve prodhuese, zhvillimi i energjisë bërthamore dhe burimeve të rinovueshme lidhen drejtpërdrejt me nevojat e industrisë dhe ekonomisë digjitale.
Përdorimi i inteligjencës artificiale, zhvillimi i qendrave të të dhënave dhe zgjerimi i shërbimeve teknologjike kërkojnë një bazë të besueshme energjetike. Kjo e bën veçanërisht të rëndësishëm planifikimin e përbashkët të infrastrukturës fizike dhe asaj digjitale.
Edhe bujqësia ofron një shembull të kësaj qasjeje. Sipas të dhënave të paraqitura në Mesazh, në vitin 2025 sektori u rrit me pothuajse 6 për qind, ndërsa prodhimi i kompleksit agroindustrial arriti në 15 trilionë tenge. Prioritetet për përdorimin e teknologjive moderne, përpunimin e produkteve dhe administrimin efikas të rezervave ujore, e vendosin theksin te rritja e vlerës së prodhimit. Për Shqipërinë, këto fusha mund të shërbejnë si bazë për shkëmbim përvoje në bujqësi, industrinë ushqimore dhe teknologjitë e kursimit të ujit.
Dimensioni njerëzor mbetet thelbësor për vlerësimin e reformave. Mesazhi i kushton vëmendje infrastrukturës shëndetësore, arsimit, përgatitjes së specialistëve dhe mbrojtjes së mësuesve nga ngarkesa e tepërt administrative. Përmirësimi i kushteve në këto fusha ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e qytetarëve për të përfituar nga mundësitë e zhvillimit ekonomik. Për brezin e ri, bashkimi i një arsimi cilësor me aftësitë teknologjike është një investim në pjesëmarrjen aktive në ekonominë e së ardhmes.
Marrëdhëniet ndërmjet Kazakistanit dhe Shqipërisë kanë tashmë një bazë diplomatike prej më shumë se tri dekadash: ato u vendosën më 21 shtator 1993, ndërsa Ambasada e Kazakistanit në Tiranë u hap në vitin 2024. Prania diplomatike rezidente krijon mundësi për kontakte më të drejtpërdrejta ndërmjet institucioneve, bizneseve dhe komuniteteve akademike. Agjenda e reformave në Kazakistan ofron drejtime konkrete për ta pasuruar këtë marrëdhënie.
Për kompanitë shqiptare, ndërtimi, inxhinieria, bujqësia dhe përpunimi ushqimor janë fusha që meritojnë shqyrtim praktik. Zhvillimi i Kazakistanit si nyjë transporti ndërmjet Azisë dhe Europës, përfshirë Korridorin e Mesëm, krijon gjithashtu arsye për të studiuar mundësitë tregtare dhe logjistike me partnerë shqiptarë. Konkretizimi i tyre kërkon kontakte ndërmjet operatorëve ekonomikë, njohje të kërkesave të tregut dhe vlerësim të kostove e të kushteve të bashkëpunimit.
Një hapësirë po aq e vlefshme është ajo akademike. Bashkëbisedimi në Tiranë me studentë që ndjekin studimet në fushat e së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare tregoi rëndësinë e njohjes së drejtpërdrejtë të zhvillimeve në Kazakistan. Kontaktet ndërmjet universiteteve dhe ekspertëve mund të ndihmojnë në studimin krahasues të institucioneve, shkëmbimin e njohurive dhe përgatitjen e specialistëve që kuptojnë më mirë të dy vendet.
Në vlerësimin tim, rëndësia e Mesazhit të Presidentit Tokayev qëndron te përpjekja për t’i përfshirë institucionet, investimet dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore në një agjendë të përbashkët. Në 35-vjetorin e Pavarësisë, kjo agjendë përcakton ambicien e Kazakistanit për etapën e ardhshme të zhvillimit të vendit. Për Shqipërinë, ajo është një ftesë për ta njohur më mirë Kazakistanin dhe për të identifikuar fusha ku dialogu diplomatik mund të shoqërohet me bashkëpunim ekonomik, profesional dhe akademik me interes të ndërsjellë.

















