
Rama uron festën kombëtare të Çlirimit
Kryeministri Edi Rama uroi shqiptarët me rastin e Ditës së Çlirimit, duke ndarë në rrjetet sociale një fotografi të monumentit “Nënë Shqipëri”.

Shqiptarët festojnë sot 29 Nëntorin, 82-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.
Kryeministri Edi Rama uroi shqiptarët me rastin e Ditës së Çlirimit, duke ndarë në rrjetet sociale një fotografi të monumentit “Nënë Shqipëri”.
Në përkujtim të kësaj dite, pritet që krerët e shtetit të kryejnë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në nder të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Dita e Çlirimit përkujtohet në mënyra të ndryshme nga forcat politike shqiptare. E majta e konsideron 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërsa e djathta i përkujton Pavarësinë dhe Çlirimin në 28 Nëntor.
Shqipëria u çlirua më 29 nëntor 1944, pas pesë vitesh pushtimi, që nisën me agresionin fashist italian më 7 prill 1939. Pas kapitullimit të Italisë në shtator 1943, vendi u pushtua nga forcat gjermane.
Lufta për çlirimin e vendit kulmoi në nëntor 1944. Tirana u çlirua më 17 nëntor, ndërsa luftimet në veri vijuan deri më 29 nëntor, kur u larguan forcat gjermane nga Shkodra.
29 Nëntori përkujtohet çdo vit në Shqipëri përmes ceremonive shtetërore dhe aktiviteteve përkujtimore në nderim të dëshmorëve të rënë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.
Burimi ATSH

















