
Banka e Shqipërisë mbledh studiues nga 44 vende, në fokus sfidat e politikës monetare dhe inteligjenca artificiale
Banka e Shqipërisë organizon në Tiranë edicionin e 20-të të Workshop-it të Kërkimit Ekonomik për Evropën Juglindore

Banka e Shqipërisë organizon në Tiranë edicionin e 20-të të Workshop-it të Kërkimit Ekonomik për Evropën Juglindore, një aktivitet ndërkombëtar që këtë vit trajton sfidat e politikës monetare, stabilitetin financiar dhe rolin e inteligjencës artificiale në kushtet e pasigurisë globale. Në këtë aktivitet dyditor (24-25 nëntor) do të prezantohen 40 punime shkencore nga studiues të bankave qendrore, universiteteve dhe institucioneve kërkimore, tetë prej të cilave janë hartuar nga autorë ose bashkautorë të Bankës së Shqipërisë.
Në hapjen e ditës së parë të workshop-it, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe zëvendësambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Philipp Arnold, përshëndetën pjesëmarrësit. Në fjalën e tij, Sejko u ndal te sfidat me të cilat përballen bankat qendrore në një mjedis ekonomik të karakterizuar nga pasiguria, goditjet e jashtme dhe ndryshimet strukturore.
Ai theksoi se kërkimi ekonomik përbën një instrument të rëndësishëm për identifikimin e rreziqeve dhe mbështetjen e vendimmarrjes, duke sjellë si shembull kontributin e analizave të Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe forcimin e qëndrueshmërisë financiare.
Guvernatori prezantoi gjithashtu dy nisma të reja: krijimin e një serie të përbashkët botimesh kërkimore (Working Paper Series) dhe vendosjen e një kuadri për aksesin e studiuesve në mikrodatat e Bankës së Shqipërisë. Sipas tij, këto nisma do të krijojnë mundësi për studime më të thelluara mbi ekonominë shqiptare dhe krahasime me vendet e rajonit.
Duke iu referuar inteligjencës artificiale, Sejko nënvizoi rëndësinë e përdorimit të teknologjisë në kërkimin ekonomik, duke ruajtur standardet metodologjike dhe cilësinë shkencore. Folësi kryesor i edicionit të 20-të është profesori i ekonomisë në Universitetin e Çikagos, Harald Uhlig, i cili do të trajtojë nesër rolin e rezervave të bankave qendrore dhe ndërhyrjet e tyre në rastet kur tregjet dytësore përballen me ngrirje të aktivitetit.
Gjatë diskutimeve do të trajtohen edhe rreziqet gjeopolitike, pagesat digjitale, kursi i këmbimit dhe komunikimi i bankave qendrore.
Workshop-i, i nisur në vitin 2007, është shndërruar në një platformë të rëndësishme të kërkimit ekonomik në Evropën Juglindore. Në 20 edicionet e tij janë prezantuar 495 punime shkencore, nga studiues që përfaqësojnë 139 institucione në 44 vende të botës.
Burimi ATSH



















