
Ibrahimaj në AmCham: Reformat dhe përgatitja e biznesit, kyçe për anëtarësimin në BE në 2027-ën
Përmbyllja e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian në vitin 2027 kërkon angazhim të përbashkët për reformat ligjore dhe përgatitjen e sipërmarrjeve shqiptare për konkurrencën në tregun europian.

Përmbyllja e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian në vitin 2027 kërkon angazhim të përbashkët për reformat ligjore dhe përgatitjen e sipërmarrjeve shqiptare për konkurrencën në tregun europian.
Kështu u shpreh ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në takmin e Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham), që u zhvillua sot në Tiranë, me pjesëmarrjen edhe të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt.
Në fokus të Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë ishte ecuria e ekonomisë shqiptare, sfidat e komunitetit të biznesit dhe mundësitë që krijon procesi i integrimit europian.
“Viti 2027 do të jetë vendimtar për përmbylljen e negociatave me Bashkimin Europian, një proces që kërkon angazhim të përbashkët në reformat ligjore dhe përgatitjen e sipërmarrjeve për tregun europian”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja vlerësoi kontributin e Dhomës Amerikane të Tregtisë në hartimin e politikave ekonomike, ekspertizën dhe rekomandimet e saj në proceset ligjore, veçanërisht në kuadër të ligjit të ri të investimeve.
Ajo theksoi se dialogu i vazhdueshëm me komunitetin e biznesit është i rëndësishëm për të adresuar sfidat e sipërmarrjes, nxitur investimet dhe rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.
“Dialogu i vazhdueshëm me biznesin mbetet thelbësor për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e konkurrueshmërisë së Shqipërisë”, u shpreh Ibrahimaj.
Asambleja e Përgjithshme e AmCham shërbeu si një forum diskutimi për marrëdhëniet mes institucioneve dhe sipërmarrjes, si dhe për rolin e biznesit në përgatitjen e ekonomisë shqiptare për integrimin në tregun europian.
Burimi ATSH


















