
Mbikëqyrje më e fortë për bankat, sigurimet dhe investimet, miratohet projektligji në komisionin e Ekonomisë
Projektligji për mbikëqyrjen shtesë të konglomerateve financiare u miratua në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, duke sjellë rregulla të reja për kontrollin e rrezikut, mjaftueshmërinë e kapitalit dhe transparencën e grupeve që ushtrojnë aktivitet në sektorë të ndryshëm financiarë.

Projektligji për mbikëqyrjen shtesë të konglomerateve financiare u miratua në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, duke sjellë rregulla të reja për kontrollin e rrezikut, mjaftueshmërinë e kapitalit dhe transparencën e grupeve që ushtrojnë aktivitet në sektorë të ndryshëm financiarë.
Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, gjatë prezantimit të nismës, theksoi se projektligji përafron kuadrin shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe synon të garantojë një mbikëqyrje më të plotë të grupeve financiare.
“Ky projektligj synon krijimin e një mbikëqyrjeje shtesë për institucionet e kreditit, shoqëritë e sigurimeve dhe shoqëritë komisionere që janë pjesë e konglomerateve financiare, në përputhje të plotë me Direktivën 2002/87/EC të Bashkimit Evropian”, u shpreh Yzeiraj.
Sipas tij, mbikëqyrja e re do të funksionojë si një nivel plotësues ndaj kontrollit që ushtrohet aktualisht mbi secilin institucion financiar. Në këtë mënyrë, autoritetet do të kenë mundësi të vlerësojnë jo vetëm gjendjen e veçantë të bankave, shoqërive të sigurimit apo atyre të investimit, por edhe rreziqet që krijohen nga ndërveprimi i tyre brenda të njëjtit grup.
Projektligji përcakton kriteret për identifikimin e konglomerateve financiare. Një grup klasifikohet si konglomerat financiar nëse mbi 40% e aktiveve të tij janë në sektorin financiar dhe nëse ka aktivitet të rëndësishëm në të paktën dy sektorë të ndryshëm, si bankar, sigurime ose investime. Një sektor konsiderohet i rëndësishëm nëse përbën mbi 10% të aktivitetit financiar të grupit.
Një nga kërkesat kryesore të kuadrit të ri lidhet me mjaftueshmërinë e kapitalit në nivel grupi. Institucionet do të duhet të dëshmojnë se kanë kapital të mjaftueshëm për të përballuar rreziqet e kombinuara të aktiviteteve të tyre, si dhe të raportojnë për ekspozimet e mëdha dhe transaksionet mes subjekteve të të njëjtit grup.
Një rol të rëndësishëm në zbatimin e ligjit do të kenë Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të cilat do të bashkëpunojnë për identifikimin e konglomerateve, shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin e mbikëqyrjes. Për secilin grup do të caktohet një autoritet koordinator, i cili do të drejtojë këtë proces.
Nisma parashikon gjithashtu forcimin e qeverisjes së brendshme, sistemet e integruara të administrimit të rrezikut dhe kryerjen e testeve të stresit për të vlerësuar aftësinë e grupeve financiare për të përballuar goditjet ekonomike.
Marrë nga ATSH


















