
Ibrahimaj: Buxheti 10 mld euro, më shumë të ardhura dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për qytetarët
Buxheti i vitit 2027, i cili për herë të parë kalon vlerën e 10 miliardë eurove, synon ta përkthejë rritjen ekonomike në më shumë të ardhura dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për qytetarët.

Buxheti i vitit 2027, i cili për herë të parë kalon vlerën e 10 miliardë eurove, synon ta përkthejë rritjen ekonomike në më shumë të ardhura dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për qytetarët.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, përmes një videomesazhi teksa u ndal te buxheti i vitit 2027, theksoi se “synimi ynë është që investimet publike dhe zhvillimi ekonomik të reflektohet në përmirësimin e jetesës së qytetarëve”.
“Për ne është e rëndësishme që ato para që investohen në vepra publike të kthehen në xhepat e qytetarëve, te një pensionist, te familja që kërkon të bëjë shtëpinë e parë”, deklaroi Ibrahimaj.
Sipas ministres, ekonomia është trefishuar dhe i është afruar vlerës së 10 miliardë eurove, ndërsa papunësia ka zbritur në 8,3%. Ajo përmendi gjithashtu rritjen e investimeve të huaja dhe atyre të biznesit vendas, si dhe uljen e ndjeshme të borxhit publik, duke i cilësuar këta tregues si bazë për mbështetjen e qytetarëve përmes buxhetit të ri.
“Një nga ndryshimet kryesore që nis nga janari 2027, është dyfishimi i shtesës mujore për pensionistët, e cila do të arrijë në 3 600 lekë në muaj. Mbështetja për familjet e reja do të përfshijë bonusin e bebes, i cili do të jepet çdo muaj deri në moshën 5 vjeç të fëmijës. Ndërsa për fëmijët me aftësi ndryshe mbështetja financiare do të dyfishohet. Për studentët, bursat do të rriten nga 10 mijë, në 25 mijë lekë”, tha Ibrahimaj.
Në mbështetje të konsumatorëve, Ibrahimaj bëri të ditur se TVSH-ja do të ulet nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore bazë.
Sa i përket të ardhurave nga puna, ministrja njoftoi uljen e tatimit mbi pagën, duke theksuar se punonjësit do të kenë më shumë të ardhura në dispozicion.
“Për punonjësit me pagë 250 mijë lekë në muaj, falë ndryshimeve të tatimit mbi pagën, do të kursehen 5 mijë lekë në muaj”, u shpreh ajo, duke shtuar se rreth 32 mijë punonjës do të përfitojnë nga rritja e tavanit të fashës së tatimit 13%, nga 200 mijë në 300 mijë lekë.
Në të kundërt, tatimi mbi dividentin do të rritet nga 8% në 15%, duke kontribuar në rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Një tjetër drejtim i buxhetit 2027 është mbështetja për strehimin.
Sipas Ibrahimajt, do të ofrohen kredi të lehtësuara dhe subvencione për familjet që plotësojnë kriteret, ndërsa parashikohet një skemë që përfshin 10 mijë apartamente.
“Do të hapet një thirrje në fund të vitit 2026 dhe në fillim të vitit 2027, për të nxitur të rinjtë që të hapin një derë me shtëpinë e tyre”, deklaroi ministrja, teksa bëri të ditur se, për rritjen e punësimit të të rinjve, buxheti parashikon investimin e 8,9 miliardë lekëve në arsimin profesional dhe punësimin.
Ibrahimja tha se ndërkohë, bizneset do të vijojnë të mbështeten përmes financimit të investimeve dhe krijimit të vendeve të reja të punës, ndërsa programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, do të zbatohet gjatë gjithë vitit 2027.
“Rritja e ekonomisë duhet të ndihet në xhepat e qytetarëve, në shpenzimet e familjeve dhe në mundësitë për një të ardhme më të mirë”, përfundoi Ibrahimaj.
Burimi ATSH


















