
Kuvendi ndan përvojën e transformimit digjital në konferencën botërore “e-Parliament 2026”
Drejtori i Teknologjisë së Informacionit i Kuvendit, Dritan Kaloshi, mori pjesë si panelist në sesionin “Demistifikimi i transformimit digjital për legjislaturat më të vogla: Ndërtimi i themeleve të forta për qeverisje, menaxhim të dhënash, lidhshmëri dhe inteligjencë artificiale – Si mund të fillojnë parlamentet me hapa të vegjël dhe të rriten me besim.”

Konferenca botërore “e-Parliament 2026”, forumi kryesor global për inovacionin dhe përdorimin e teknologjive digjitale në parlament, mblodhi së bashku anëtarë të parlamenteve, sekretarë të përgjithshëm dhe staf të lartë parlamentar nga e gjithë bota.
E organizuar në datat 16-18 nëntor, nga Unioni Interparlamentar (IPU) dhe Parlamenti Europian, konferenca përfshiu tre drejtime: parlamentarët në një shoqëri digjitale, lidershipi strategjik për transformimin digjital të parlamenteve, dhe teknologjia, inovacioni dhe zbatimi.
Pjesëmarrësit ndanë praktikat më të mira mbi aksesueshmërinë dhe qeverisjen e inteligjencës artificiale, si dhe shkëmbyen pikëpamje mbi avancimin e normave globale për bashkëpunimin digjital parlamentar.
Drejtori i Teknologjisë së Informacionit i Kuvendit, Dritan Kaloshi, mori pjesë si panelist në sesionin “Demistifikimi i transformimit digjital për legjislaturat më të vogla: Ndërtimi i themeleve të forta për qeverisje, menaxhim të dhënash, lidhshmëri dhe inteligjencë artificiale – Si mund të fillojnë parlamentet me hapa të vegjël dhe të rriten me besim.”
Në fjalën e tij, ai prezantoi detaje praktike mbi mënyrën se si parlamenti ndërtoi themelet e tij digjitale hap pas hapi, duke theksuar se udhëtimi nisi nga nevoja, kur pandemia COVID-19 e detyroi institucionin të përballonte pyetjen nëse mund të funksiononte pa praninë fizike.
Mbledhjet online, infrastruktura, një qendër e re e vazhdimësisë dhe Sistemi i Transkriptimit, u prezantuan nga Kaloshi, jo si masa të përkohshme emergjence, por si blloqet e para të një administrate më të qëndrueshme.
Kaloshi ndau gjithashtu përvojën që krijoi Kuvendi nga sulmet kibernetike, duke përforcuar bindjen se besimi digjital duhet të fitohet përmes investimit në ndërgjegjësimin për sigurinë kibernetike, qeverisjen dhe gatishmërinë institucionale. “Ky themel më pas hapi rrugën për zgjidhje të synuara të inteligjencës artificiale, duke përfshirë një sistem transkriptimi nga zëri në tekst dhe projektet e reja në vijim të mbështetura mbi AI”, shtoi ai.
Kaloshi theksoi rëndësinë e mbështetjes nga partnerë si Parlamenti Evropian, IPU, ECPRD, Parlamenti Austriak dhe Qeveria Zvicerane, ndërsa vuri në dukje se ekosistemi digjital mbetet i fragmentuar, me mjete dhe standarde që zhvillohen në drejtime të ndryshme.
Lidhur me angazhimin e donatorëve, ai i bëri thirrje partnerëve të harmonizojnë financimin me strategjitë kombëtare digjitale, të mbështesin produkte funksionale dhe kapacitete afatgjata në vend të projekteve afatshkurtra, si dhe të matin suksesin përmes adoptimit institucional dhe qëndrueshmërisë.
Në përfundim, Kaloshi theksoi se parlamentet më të vogla nuk kanë nevojë të transformojnë gjithçka menjëherë.
“Transformimi digjital është një udhëtim i vazhdueshëm institucional, jo një ushtrim prokurimi teknologjik,” tha ai, duke theksuar se themelet e forta në qeverisje, lidhshmëri, menaxhim të dhënash, disiplinë operacionale dhe siguri kibernetike duhet të shoqërojnë çdo hap.
“Pyetja nuk është sa projekte përfundojmë, por çfarë kapacitetesh institucionale ndërtojmë për të zgjatur. Ky është matësi i transformimit të vërtetë digjital”, shtoi Kaloshi.
Marrë nga ATSH


















