
Shella: 85% e degëve bankare në Tiranë të hapura, 45 degë dhe 53 ATM të dëmtuara
Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), Bledi Shella, bëri të ditur se janë dëmtuar 45 degë bankare, nga të cilat 24 kanë pësuar dëme më të mëdha, si dhe 53 bankomate.

Rreth 85% e degëve bankare në Tiranë janë të hapura dhe të ofrojnë shërbime pothuajse me orar të plotë, pavarësisht dëmtimeve të shkaktuara gjatë protestave të ditëve të fundit.
Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), Bledi Shella, bëri të ditur se janë dëmtuar 45 degë bankare, nga të cilat 24 kanë pësuar dëme më të mëdha, si dhe 53 bankomate.
Gjatë takimit të zhvilluar sot në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama dhe të drejtuesve të bankave tregtare, Shella theksoi se prioritet i sektorit bankar mbetet mbrojtja e stafit dhe klientëve, si dhe garantimi i vijimësisë së shërbimeve.
Sipas tij, aktualisht rreth 15% e degëve bankare në Tiranë janë të mbyllura, ndërsa pjesa tjetër vijon aktivitetin, kryesisht me orar të plotë. Ai shtoi se dëmtimet e bankomateve janë gjithashtu një shqetësim, duke qenë se ato janë një kanal i rëndësishëm për kryerjen e veprimeve nga qytetarët.
Shella sqaroi se dëmtimi fizik i një dege bankare nuk duhet të ngatërrohet me funksionimin e sistemit bankar në tërësi.
“Dëmi i një dege banke është një dëm fizik i pronës, por nuk është se në degët bankare mbahen paratë e qytetarëve apo depozitat. Dega është vendi ku ne u shërbejmë qytetarëve dhe dëmtimi i tyre thjesht vështirëson ofrimin e shërbimit”, u shpreh ai, teksa theksoi se bankat janë një domosdoshmëri për çdo qytetar dhe biznes ndaj e nevojshme që ky mjet i përbashkët të mbrohet.
Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të AAB-së nënvizoi se sistemi bankar është likuid dhe se raporti kredi-depozita është rreth 50%, ndër nivelet më të ulëta në Evropë, çka sipas tij dëshmon për likuiditet dhe mirëkapitalizim të bankave, kapacitete që e mbështesin sistemit për të përballuar nevojat për financim dhe për të vijuar shërbimin ndaj ekonomisë.
“Jemi në koordinim me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e tjera për marrjen e masave dhe vijimin e shërbimeve cilësore për qytetarët”, deklaroi Shella.
Ai theksoi se objektivi i sektorit bankar mbetet garantimi i shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, pavarësisht dëmeve të shkaktuara në disa prej pikave të rrjetit bankar.
Burimi ATSH



















