
Nufi pret komandantin e ri të KFOR-it: Shqipëria kontribut në promovimin e stabilitetit në Kosovë
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi mikpriti sot në një takim komandantin e ri të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Roberto Vergori

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi mikpriti sot në një takim komandantin e ri të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Roberto Gregori, me të cilin diskutoi mbi rolin e këtij misioni në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, si dhe kontributin e tij në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Gjatë takimit, Nufi nënvizoi rëndësinë e veçantë që KFOR-i ka për Shqipërinë.
“Kontributi ynë i vazhdueshëm dhe i palëkundur në këtë mision dëshmon rëndësinë e veçantë që i kushtojmë mandatit dhe rolit të tij në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në mbarë rajonin”, është shprehur Nufi.
Duke e uruar gjeneralmajor Vergorin në përmbushjen e mandatit të tij, ministri Nufi theksoi gjithashtu se, “Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj përgjegjësive të saj si anëtare e përkushtuar e NATO-s, duke vijuar të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për një rajon më të sigurt, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt bashkëpunimit”.
Burimi ATSH


















