
Universiteti i Tiranës, marrëveshje me IdentiTek për praktikat profesionale
Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha, dhe administratorja e “IdentiTek”, Silda Anagnosti Çepe.

Universiteti i Tiranës dhe shoqëria “IdentiTek” nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që synon krijimin e mundësive të reja për praktikën profesionale të studentëve, zhvillimin e projekteve kërkimore dhe forcimin e lidhjeve mes universitetit dhe tregut të punës.
Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha, dhe administratorja e “IdentiTek”, Silda Anagnosti Çepe.
Sipas UT-së, bashkëpunimi do të përqendrohet në organizimin e praktikave profesionale për studentët, përfshirjen e studentëve dhe stafit akademik në projekte në fushën e teknologjisë së informacionit, sigurisë kibernetike dhe analizave profesionale, si dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore.
Një tjetër drejtim i bashkëpunimit do të jetë realizimi i studimeve dhe projekteve pilot në fushën e identitetit elektronik dhe inteligjencës artificiale.
Në kuadër të marrëveshjes, “IdentiTek” do të ofrojë informacionin e nevojshëm dhe do të lehtësojë procedurat për zhvillimin e praktikave profesionale, ndërsa Universiteti i Tiranës do të identifikojë studentët dhe anëtarët e stafit akademik që do të angazhohen në këto praktika dhe projekte.
Marrëveshja është pjesë e nismave të Universitetit të Tiranës për zgjerimin e bashkëpunimit me institucione dhe kompani publike e private, me synim aftësimin profesional të studentëve, rritjen e mundësive të punësimit dhe përfshirjen e tyre në projekte të përbashkëta kërkimore.
Burimi ATSH



















