
Karakaçi: Infrastrukturë moderne hekurudhore nga veriu në jug të vendit
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi theksoi sot se Shqipëria po zhvillon një program të gjerë investimesh për rehabilitimin dhe modernizimin e rrjetit hekurudhor

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi theksoi sot se Shqipëria po zhvillon një program të gjerë investimesh për rehabilitimin dhe modernizimin e rrjetit hekurudhor, me synim lidhjen e qyteteve, aeroporteve, porteve, zonave turistike dhe korridoreve ndërkombëtare.
Duke folur për projektet hekurudhore në vend, gjatë takimit konsultativ me përfaqësues të kompanive të mëdha ndërkombëtare për Kontratën e Shërbimit Publik për transportin hekurudhor të udhëtarëve në linjën Tiranë–Durrës–Aeroporti i Rinasit, ministri Karakaçi theksoi se “në veri të vendit, linja Vorë-Hani i Hotit është rreth 120 kilometra, po rehabilitohet si pjesë e lidhjes së Shqipërisë me Malin e Zi dhe rrjetin evropian. Projekti është bashkëfinancuar nga EBRD, EIB dhe Bashkimi Evropian, ndërsa vlerësimi i ofertave tashmë është në fazën përfundimtare dhe ne presim për shpalljen e fituesit brenda këtij viti”.
Po ashtu, vijoi ministri Karakaçi, projekti tjetër Durrës-Rrogozhinë është një tjetër hallkë e rëndësishme e ndërlidhjes hekurudhore.
“Kjo linjë është pjesë e rrjetit kryesor TEN-T në Ballkanin Perëndimor dhe e Korridorit VIII. Rehabilitimi do të mundësojë përsëri dhe këtu një infrastrukturë moderne, me shpejtësi projektimi deri në 120 km/orë, stacione të modernizuara, sisteme të reja sinjalizimi dhe telekomunikacioni. Edhe këtu, vlerësimi i ofertave tashmë jemi në fazën përfundimtare. Procesi konkurrues është përmbyllur dhe ne presim po ashtu brenda këtij viti tashmë të kemi të shpallur fituesin dhe pse jo të lidhur kontratën”, theksoi ai.
Ministri Karakaçi vuri në dukje se në të njëjtën kohë, po përgatitet edhe projekti Rrogozhinë-Pogradec, që është vijimi i kësaj linje hekurudhore të Korridorit VIII dhe po zhvillohet projekti për rehabilitimin e linjës Rrogozhinë-Fier-Vlorë, së bashku me lidhjen hekurudhore për Aeroportin e Vlorës.
“Në fokus kemi gjithashtu dhe linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, të cilën bashkë me Agjencinë Franceze të Zhvillimit po përpiqemi që të bëjmë një projekt të detajuar teknik. Dhe krahas transportit të udhëtarëve, po ndërtojmë edhe lidhjet e nevojshme për transportin e mallrave”, tha Karakaçi.
Sipas tij, lidhja Sukth-Porto Romano do të krijojë lidhje të drejtpërdrejtë hekurudhore me portin e ri në Porto Romano dhe do të forcojë lidhjen ndërmodale ndërmjet hekurudhës dhe transportit detar.
Pra, shtoi ministri, ajo që po tentojmë të ndërtojmë është një rrjet që lidh qytetet, aeroportet, portet, zonat turistike dhe korridoret ndërkombëtare.
“Ky është vizioni i rivitalizimit të Hekurudhës Shqiptare. Por investimi në infrastrukturë, sado i rëndësishëm të jetë, nuk është qëllimi final. Në fakt, qëllimi final është që qytetarët ta ndjejnë realisht ndryshimin dhe për këtë ne duhet të sigurojmë edhe një shërbim hekurudhor modern, të rregullt, të besueshëm dhe të orientuar drejt pasagjerit”, tha ministri Karakaçi.
Burimi ATSH



















