
Rusi: Formimi i brezit të ri të profesionistëve të drejtësisë, investim për të ardhmen e sistemit
Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik 2026-2027 të Shkollës së Magjistraturës.

Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik 2026-2027 të Shkollës së Magjistraturës.
Në këtë ceremoni, e cila shënon fillimin e një etape të re të formimit profesional për brezin e ri të profesionistëve të drejtësisë, Rusi përcolli një mesazh përshëndetës për kandidatët për magjistratë, kandidatët për Avokatë të Shtetit dhe kandidatët për ndihmës ligjorë.
Në fjalën e tij, Rusi vlerësoi rolin e veçantë të Shkollës së Magjistraturës në formimin profesional dhe etik të brezave të rinj që do t’i shërbejnë drejtësisë dhe shtetit të së drejtës.
“Sot nuk hapet thjesht një vit i ri akademik. Për secilin prej jush nis një etapë e re e formimit dhe e rrugëtimit profesional”, u shpreh Rusi, duke theksuar se, pavarësisht funksionit që do të ushtrojnë në të ardhmen, profesionalizmi, integriteti, përgjegjshmëria dhe respekti për ligjin duhet të jenë themelet e karrierës së tyre.
Kryetari i KLGJ-së nënvizoi se të qenit profesionist i së drejtës nuk lidhet vetëm me zotërimin e njohurive juridike, por edhe me aftësinë për t’i ushtruar ato me paanshmëri, maturi, etikë dhe përgjegjshmëri, duke pasur gjithmonë në vëmendje qytetarin dhe interesin publik.
Duke iu drejtuar veçanërisht kandidatëve që do të ushtrojnë funksionin e magjistratit, Rusi theksoi rëndësinë e pavarësisë dhe paanshmërisë në përmbushjen e misionit të tyre.
“Pavarësia e gjyqësorit nuk është vetëm një parim kushtetues. Ajo është edhe një përgjegjësi individuale dhe profesionale”, tha ai.
Sipas Rusit, kjo përgjegjësi kërkon aftësinë për të gjykuar dhe vendosur pa u ndikuar nga presioni, interesat apo pritshmëritë e të tjerëve, duke mbajtur si pikë referimi ligjin, Kushtetutën dhe ndërgjegjen profesionale.
Në fjalën e tij u veçua gjithashtu rëndësia e rolit të kandidatëve për Avokatë të Shtetit dhe ndihmës ligjorë, puna e të cilëve do të jetë pjesë e drejtpërdrejtë e funksionimit të institucioneve dhe e miradministrimit të drejtësisë.
Kryetari i KLGJ-së i inkurajoi studentët që periudhën e formimit në Shkollën e Magjistraturës ta shohin jo thjesht si një etapë për përfundimin e studimeve, por si një mundësi për të ndërtuar themelet e një karriere të gjatë dhe të përgjegjshme.
“Drejtësia nuk kërkon vetëm profesionistë që e njohin ligjin. Ajo kërkon profesionistë që dinë ta interpretojnë dhe ta zbatojnë atë me përgjegjshmëri, që kuptojnë pasojat e vendimeve dhe që janë të vetëdijshëm për besimin që shoqëria vendos tek institucionet e drejtësisë”, tha ai.
Rusi vlerësoi punën dhe përkushtimin e drejtuesve dhe pedagogëve të Shkollës së Magjistraturës, duke theksuar se çdo leksion, diskutim, këshillë profesionale dhe standard i përcjellë te studentët përbën një kontribut të drejtpërdrejtë në cilësinë e drejtësisë dhe të shërbimit publik në të ardhmen.
Ai nënvizoi se, në Këshillin e Lartë Gjyqësor, formimi i brezit të ri të profesionistëve të drejtësisë konsiderohet një investim i rëndësishëm për të ardhmen e sistemit të drejtësisë.
“Një sistem drejtësie i qëndrueshëm dhe i besueshëm nuk ndërtohet vetëm përmes reformave, institucioneve apo infrastrukturës. Në themel të tij janë njerëzit”, u shpreh ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Rusi u uroi kandidatëve një vit akademik të suksesshëm dhe një rrugëtim të frytshëm profesional, duke i inkurajuar të ruajnë integritetin dhe përkushtimin ndaj misionit të tyre.
“Autoriteti që vjen nga detyra është i rëndësishëm, por besueshmëria ndërtohet përmes profesionalizmit, etikës dhe integritetit.”
Në emër të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Rusi uroi brezin e ri të profesionistëve për një karrierë të gjatë, të ndershme dhe dinjitoze në shërbim të drejtësisë, institucioneve dhe qytetarëve.
/Marrë nga ATSH



















