Forcim i kapaciteteve për përgjigjen ndaj rezistencës antimikrobike
Shqipëria mirëpret nga 5 deri më 9 tetor grupin e ekspertëve të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), në kuadër të vizitës “One Health Country Visit on AMR to Albania”, me fokus forcimin e kapaciteteve kombëtare për parandalimin dhe kontrollin e rezistencës antimikrobike (AMR).

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, vizita synon forcimin e survejancës dhe të kapaciteteve për përgjigjen ndaj rezistencës antimikrobike, në përputhje me standardet dhe acquis të Bashkimit Evropian.
Kjo vizitë zhvillohet në kuadër të qasjes “Një Shëndet – One Health”, e cila kërkon një bashkëpunim të koordinuar ndërmjet sektorëve të shëndetësisë, bujqësisë, sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe botës akademike.
Ekspertët e ECDC do të fokusohen në vlerësimin dhe forcimin e mekanizmave kombëtarë për parandalimin, survejancën dhe përgjigjen ndaj AMR-së, një prej sfidave më të rëndësishme të shëndetit publik në nivel global.
Qasja “One Health” e konsideron shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit si të ndërlidhur, duke kërkuar masa të përbashkëta për adresimin e kërcënimeve shëndetësore, përfshirë rezistencën ndaj antibiotikëve.
Vizita e ekspertëve evropianë synon gjithashtu të mbështesë Shqipërinë në përafrimin e mëtejshëm të politikave dhe praktikave kombëtare me standardet e Bashkimit Evropian në këtë fushë.
Burimi ATSH