
Shqipëria forcon mekanizmat e mbrojtjes së informacionit kundër kërcënimeve hibride dhe dezinformimit
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) dhe Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) theksuan rëndësinë e një përgjigjeje të koordinuar gjithëpërfshirëse.

Lufta kundër kërcënimeve hibride, manipulimit të informacionit dhe dezinformimit bëri bashkë përfaqësues të institucioneve vendase dhe partnerë ndërkombëtarë në një panel diskutimi mbi rritjen e qëndrueshmërisë kombëtare dhe mbrojtjen e hapësirës publike të informacionit.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) dhe Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) theksuan rëndësinë e një përgjigjeje të koordinuar gjithëpërfshirëse.
Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit për Sigurinë Kibernetike, Bledar Kazia tha se “objektivi i vërtetë i sulmeve është besimi i publikut”.
Kazia shtoi se teknologjia dhe përdorimi i inteligjencës artificiale e kanë bërë manipulimin e informacionit më profesional dhe të përshkallëzueshëm. Sipas tij, incidentet kibernetike shpesh shoqërohen me dezinformim të synuar ndaj publikut, ku objektivi kryesor nuk është thjesht infrastruktura teknike, por besimi i qytetarëve tek institucionet demokratike dhe te rruga evropiane e vendit.
Kazia nënvizoi se Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për në BE, po forcon kapacitetet e saj mbrojtëse, përfshirë ngritjen e ekipeve të dedikuara për hetimin e inteligjencës nga burimet e hapura.
Ndërkohë, zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino gjatë fjalës së saj u ndal në tri shtylla që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen kibernetike.
Nga perspektiva e diplomacisë, Fino theksoi se verifikimi i shpejtë i lajmeve, komunikimi strategjik dhe i besueshëm me qytetarët për procesin e integrimit në BE, si dhe thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar me NATO-n, BE-në dhe Qendrën Hibride mbeten tri shtylla kryesore në këtë proces.
“Integrimi në BE sjell rritje të vëmendjes dhe potencialisht e bën rajonin më shumë objektiv të manipulimeve të huaja, çka kërkon koordinim institucional të përditshëm”, tha Fino.
Kryetarja e Autoritetit të Medias Audiovizive, Armela Krasniqi u ndal te sfidat rregullatore me të cilat përballet mjedisi mediatik në epokën digjitale.
Krasniqi u shpreh se kuadri legjislativ tradicional nuk e mbulon drejtpërdrejt dezinformimin online, por AMA nuk ka qëndruar duarkryq. Ajo veçoi nismat e ndërmarra nga autoriteti për krijimin e urave direkte të bashkëpunimit me platforma të mëdha globale si TikTok dhe X (Twitter) për adresimin e ankesave të qytetarëve dhe përmbajtjeve dëmtuese.
“AMA ka nisur që nga viti 2024 një bashkëpunim me TikTok-un dhe më pas me platformën X. Për çdo ankesë nga qytetarët, ne shohim materialin e dërguar dhe, nëse konstatojmë se përbën shkelje, i raportojmë ato drejtpërdrejt pranë platformave”, deklaroi Krasniqi.
Ndërsa, Martha Turnbull, drejtore e komunitetit të interesit për ndikimin Hibrid, Hybrid CoE, tha se “shembujt historikë që kemi parë të aktivitetit kibernetik iranian të përqendruar në Shqipëri janë një shembull vërtet konkret”.
“Mjedisi i informacionit në të cilin po punojmë aktualisht në të gjithë Evropën vazhdon të jetë objektiv i vazhdueshëm i aktorëve të kërcënimeve hibride, veçanërisht rreth dezinformimit. Dhe nuk do të thoja se Shqipëria si vend nuk vuan nga kjo, sepse mendoj se të gjitha vendet në Evropë vuajnë nga këto kërcënime”, theksoi ajo.
“Ajo që kemi parë është një rritje e ndjeshme e vëmendjes ndaj kërcënimeve hibride. Ashtu siç janë rritur vetë kërcënimet, ashtu është rritur edhe përgjigjja ndaj tyre. Pra, ajo që po shohim është një përpjekje qartësisht e koordinuar për të zbatuar strategji të reja, për të zbatuar legjislacion të ri aty ku kërkohet, si dhe për të punuar së bashku në të gjithë sistemin qeveritar për ta trajtuar këtë problem. Por gjithnjë e më shumë po përqendrohemi te faktit se kjo duhet të jetë një përgjigje e gjithë shoqërisë. Pra, të menduarit se kjo nuk është thjesht një përgjigje e qeverisë, por diçka ku qeveria duhet të punojë me median, me shoqërinë civile, me organizatat joqeveritare për të përmirësuar kolektivisht aftësinë e tyre për t’iu kundërvënë kërcënimeve hibride”, përfundoi Turnbell.
Marrë nga ATSH


















