
Maran: Të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme ndaj Bjellorusisë
Shqipëri-Bjellorusi do të luhet të shtunën, në orën 20:45.

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran kërkon përqendrim maksimal nga kuqezinjtë në sfidën ndaj Bjellorusisë, në prag të debutimit të tij në stolin e Shqipërisë.
Në konferencën e sotme për shtyp, Maran vlerësoi kundërshtarin, ndërsa theksoi se objektivi i skuadrës është të zhvillojë ndeshjen më të mirë të mundshme.
“Bjellorusia vjen nga një periudhë e mirë. Kjo është një stimul për ne. Është një skuadër që e respektojmë shumë dhe na motivon për të rritur përqendrimin. Te bjellorusët kam vënë re se janë shumë punëtorë dhe gjithmonë në krye të punës”, u shpreh Maran.
Tekniku italian nënvizoi rëndësinë e menaxhimit të lojës, veçanërisht në momentet kur skuadra humbet topin.
“Qëllimi është të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme dhe të mos humbasim topin. Duhet të dimë si të interpretojmë lojën kur humbasim topin. Nga ndeshjet e qershorit kemi marrë disa mësime. Fokusi është që të bëjmë ndeshjen më të mirë ndaj Bjellorusisë”, tha ai.
Maran foli edhe për mungesat në skuadër, duke theksuar se situata i ka dhënë mundësi të provojë alternativa të reja.
“Disa nga lojtarët nuk kanë pasur mundësi të përgatiten. Nga këto mungesa kam provuar gjëra të reja dhe kam marrë sinjale pozitive. Kam shumë besim se edhe nëse disa lojtarë nuk kanë mundësi të luajnë 90 minuta, japin siguri se do të bëjnë mirë në fushë”, u shpreh trajneri.
Për krahun e djathtë, Maran tha se nuk është i shqetësuar, duke përmendur Samuele Sinën dhe mundësinë që edhe Ardian Ismajli të luajë në këtë pozicion.
Trajneri italian theksoi se koha e kaluar me lojtarët e ka ndihmuar të krijojë një njohje më të mirë me ta dhe të përzgjedhë ata që i konsideron më të përshtatshëm për këtë ndeshje.
“Nesër nis aventura ime si trajner i Shqipërisë. Është diçka që më emocionon dhe më mbush me krenari. Kemi pasur disa vështirësi me dëmtimet gjatë këtij grumbullimi, por e sigurt është që kush zbret në fushë do të jetë i qartë se çfarë duhet të bëjë”, deklaroi Maran.
Shqipëri-Bjellorusi do të luhet të shtunën, në orën 20:45.

















