
Java e Muzeve 2026, ekspozita dhe performanca artistike në të gjithë vendin
Nga data 18 deri më 24 maj, muzetë, parqet arkeologjike dhe hapësirat e trashëgimisë kulturore në të gjithë Shqipërinë bëhen pjesë e Javës së Muzeve 2026

Nga data 18 deri më 24 maj, muzetë, parqet arkeologjike dhe hapësirat e trashëgimisë kulturore në të gjithë Shqipërinë bëhen pjesë e Javës së Muzeve 2026, duke mirëpritur qytetarët dhe vizitorët në një program të pasur me aktivitete kulturore, ekspozita, guida, performanca artistike dhe eksperienca edukative.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja informoi se nën temën ndërkombëtare të shpallur nga ICOM, “Museums Uniting a Divided World”, kjo javë vjen si një thirrje për të parë trashëgiminë kulturore jo vetëm si dëshmi të së kaluarës, por si një urë komunikimi që lidh njerëz, kultura dhe breza përmes dialogut, reflektimit dhe përvojave të përbashkëta.
Përgjatë gjithë javës, në muze dhe site kulturore në mbarë vendin do të zhvillohen aktivitete që synojnë afrimin e publikut me historinë, identitetin dhe vlerat tona kulturore, duke e kthyer kulturën në një përvojë të hapur, gjithëpërfshirëse dhe frymëzuese për të gjithë.
Në kuadër të kësaj jave, hyrja do të jetë falas në datat 18 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, si dhe më 21 maj, në Ditën Botërore për Diversitetin Kulturor për Dialog dhe Zhvillim.
Java e Muzeve 2026 është një ftesë për të rizbuluar pasurinë kulturore të Shqipërisë dhe për të përjetuar nga afër historitë, kujtesën dhe identitetin që na bashkojnë.
Marrë nga ATSH



















