
Rihapet Muzeu Arkeologjik i Durrësit, Rama: 23 objekte të trashëgimisë kulturore të restauruara me mbështetjen e BE
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot kontributin e programit “EU4Culture” të Bashkimit Europian në ringritjen e shumë objekteve të trashëgimisë kulturore, pas goditjes nga tërmeti shkatërrues i vitit 2019.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot kontributin e programit “EU4Culture” të Bashkimit Europian në ringritjen e shumë objekteve të trashëgimisë kulturore, pas goditjes nga tërmeti shkatërrues i vitit 2019.
Kryeministri Rama ishte sot i pranishëm në rihapjen e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, pas restaurimit të tij në kuadër të programit “EU4Culture”.
Ky program, deri tani ka mbështetur rilindjen e 23 objekteve të trashëgimisë kulturore.
Kryeministri vlerësoi se kjo ringritje u bë e mundur falë solidaritetit dhe bashkëpunimit të ngushtë me BE-në, që vuri në dispozicion programin “EU4Culture”.
“Ne bëmë gjithçka na takonte që me projektet dhe vullnetin e duhur të çonim përpara këtë program. Ka ende disa objekte në proces, por është bërë një punë transformuese që flet vetë”, tha Rama.
Rama theksoi se si në rastin e banesave të dëmtuara nga tërmeti, edhe në rastin e objekteve të trashëgimisë kulturore, me rindërtimin pas tërmetit është krijuar një mundësi e re për të ndërtuar më mirë dhe më bukur.
Rama nënvizoi rëndësinë e madhe që ka programi dhe në tërësi investimi në kulturë për Shqipërinë.
“Jo thjesht sepse Shqipëria është një vend turistik, por edhe sepse është pranë anëtarësimit në BE, i ka të gjitha mundësitë për të nxjerrë në pah sa më shumë historinë e vet”, tha Rama.
Kryeministri falënderoi të gjithë ata që kontribuan për këtë projekt, të cilin e cilësoi “një sfidë të fituar”.
Burimi ATSH



















