
Karakaçi: Qendra Energjetike e Vlorës, projekt kyç për sigurinë dhe pavarësinë energjetike të Shqipërisë
Siguria energjetike është një nga prioritetet kryesore të politikave shtetërore, si një element thelbësor i stabilitetit ekonomik dhe i rritjes së rezistencës kombëtare, deklaroi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

Siguria energjetike është një nga prioritetet kryesore të politikave shtetërore, si një element thelbësor i stabilitetit ekonomik dhe i rritjes së rezistencës kombëtare, deklaroi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Në takimin e zhvilluar sot në Tiranë ku u nënshkrua marrëveshja me SHBA-në dhe Greqinë për sigurinë energjetike, Karakaçi u shpreh se Shqipëria po ndërmerr hapa konkretë për të ulur ekspozimin ndaj rreziqeve që lidhen me varësinë hidroenergjetike dhe për të ndërtuar një sistem energjetik më të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt së ardhmes.
“Për Shqipërinë kjo do të thotë të ndërmerren hapa konkrete për të reduktuar ekspozimin ndaj rreziqeve hidro dhe për të ndërtuar një sistem më të qëndrueshëm për të ardhmen”, u shpreh ministri.
Ai theksoi se në këtë kontekst, vendi po avancon me reforma dhe projekte strategjike për transformimin e sektorit energjetik drejt diversifikimit të burimeve dhe rritjes së sigurisë së furnizimit.
Sipas Karakaçit, në qendër të këtij transformimi qëndron partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili synon krijimin e një bashkëpunimi afatgjatë për garantimin e një të ardhmeje energjetike të sigurt dhe të qëndrueshme.
“Në qendër të transformimit të këtij sistemi qëndron partneriteti ynë strategjik me SHBA, që reflekton ndërtimin e një bashkëpunimi të përbashkët për një të ardhme energjetike të sigurt dhe të qëndrueshme”, tha Karakaçi.
Një nga projektet kryesore të këtij vizioni është ndërtimi i Qendrës Energjetike të Vlorës, e cila pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në pozicionimin e Shqipërisë në hartën energjetike rajonale.
Ky projekt parashikon rritjen e kapaciteteve prodhuese me rreth 250 megavat, rikualifikimin e infrastrukturës për depozitimin e energjisë, si dhe zhvillimin e lidhjeve infrastrukturore për integrimin me rrjetin rajonal të transmetimit të gazit.
Konkretisht parashikohet shndërrimi i termocentralit ekzistues duke u rivitalizuar në Qendër të Energjisë në Vlorë, rritja e kapacitetit të ri gjenerues prej afërsisht 250 megavat si dhe ndërtimi i tubacionit Fier-Vlorë, duke e lidhur këtë qendër me rrjetin kombëtar dhe rajonal të transmetimit të gazit.
“Qendra Energjetike e Vlorës është një projekt me shumë komponentë dhe do të përcaktojë rolin e Shqipërisë në hartën energjetike”, u shpreh ministri.
Sipas tij, këto ndërhyrje të integruara do të rrisin kapacitetet prodhuese të energjisë në vend, do të forcojnë diversifikimin dhe do të konsolidojnë pozitën energjetike të Shqipërisë në rajon.
Karakaçi shtoi se Qendra Energjetike e Vlorës do të ripozicionojë Shqipërinë si një portë strategjike energjetike për Ballkanin, duke lidhur importin e gazit natyror me tregjet rajonale dhe duke krijuar rrugë të diversifikuara furnizimi.
“Siguria vjen nga një furnizim i qëndrueshëm”, theksoi ai, duke shtuar se bashkëpunimi me SHBA përmes furnizimit me gaz natyror të lëngshëm është thelbësor për rritjen e sigurisë energjetike të vendit.
Ministri nënvizoi gjithashtu se projekti kërkon zbatim të kujdesshëm dhe respektim të standardeve më të larta, me synimin për ta kthyer Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë.
Në këtë proces, ai vlerësoi edhe bashkëpunimin rajonal, përfshirë ndërveprimin me Greqinë fqinje, si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të pavarësisë dhe diversifikimit të burimeve energjetike të vendit.
Marrë nga ATSH



















