
Ibrahimaj: Rritja e pagës minimale pasqyron zhvillimin ekonomik, mbështetje me rimbursim për bizneset
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një takimi në ambientet e kompanisë Yura Corporation Albania në Fier, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama, kinistri i Financave Petrit Malaj dhe drejtuesja politike e qarkut Fier Belinda Balluku, u ndal te zhvillimet ekonomike dhe ndikimi i tyre në rritjen e pagave dhe punësimit në vend.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një takimi në ambientet e kompanisë Yura Corporation Albania në Fier, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama, kinistri i Financave Petrit Malaj dhe drejtuesja politike e qarkut Fier Belinda Balluku, u ndal te zhvillimet ekonomike dhe ndikimi i tyre në rritjen e pagave dhe punësimit në vend.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj tha se prej disa ditësh janë diskutuar zhvillimet ekonomike dhe treguesit kryesorë të ekonomisë, të cilët janë të gjithë të ndërlidhur me njëri-tjetrin.
“Zhvillimi ekonomik përkthehet në më shumë biznese dhe më shumë vende pune. Vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar mbi 20 mijë biznese të reja, ndërsa në dy muajt e parë të vitit 2026 janë regjistruar mbi 2700 biznese të reja, u shpreh ajo.
Sipas ministres, rritja e numrit të bizneseve ka sjellë më shumë të ardhura për ekonominë dhe rritje të kërkesës për punonjës.
“Këto biznese kanë gjeneruar më shumë të ardhura që reflektohen në shifrat e rritjes ekonomike dhe të investimeve. Bizneset kanë nevojë për më shumë punonjës, pra kërkesa për vende pune është më e lartë dhe, si rezultat, pagat kanë ardhur çdo vit në rritje”, tha Ibrahimaj.
Ajo theksoi se kjo dinamikë ekonomike bëri të mundur rritjen e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë duke nisur nga 1 janari 2026.
“Kur morëm detyrën në vitin 2013 paga minimale ishte 22 mijë lekë. Nga 1 janari 2026 vendosëm që paga minimale të shkojë në 50 mijë lekë. Ishte një vendim që e diskutuam gjatë, nëse ishte momenti i duhur për një rritje nga 40 në 50 mijë lekë brenda një viti dhe gjykuam se ishte i duhuri, sepse pjesa më e madhe e bizneseve tashmë po e paguanin këtë nivel page”, deklaroi ministrja.
Për të mbështetur bizneset gjatë kësaj periudhe tranzicioni, qeveria ka parashikuar një skemë rimbursimi të kontributeve të sigurimeve shoqërore për punonjësit me pagë minimale.
“Në buxhetin e vitit 2026 kemi vendosur një fond për të rimbursuar bizneset për kontributin shtesë të sigurimeve shoqërore për diferencën mes pagës që ishte nën 50 mijë lekë dhe pagës minimale të re. Ky rimbursim do të bëhet për të gjithë punonjësit që kanë qenë me pagë minimale në shtator të vitit të kaluar”, u shpreh Ibrahimaj.
Ajo sqaroi se bizneset mund të aplikojnë për këtë mbështetje përmes platformës e‑Albania.
“Çdo biznes mund të aplikojë përmes e-Albania për rimbursimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Aplikimi është shumë i thjeshtë: mjafton të vendoset numri i llogarisë ku do të kalojë rimbursimi. Bizneset mund të aplikojnë çdo muaj ose një herë për të gjithë periudhën deri në nëntë muaj”, tha ajo.
Ministrja Ibrahimaj vlerësoi gjithashtu kompaninë Yura si një model të mirë të punësimit dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor.
“Kjo është një kompani model, e cila jo vetëm ka një pagë mesatare rreth 65 mijë lekë, por aplikon çdo vit rritjen e pagës sipas vjetërsisë në punë, një praktikë që po e zbatojmë edhe në sektorin publik për mjekët, infermierët, mësuesit, policët dhe administratën”, tha ministrja.
Në fund të fjalës së saj, Ibrahimaj u ndal edhe te rëndësia e industrisë automotive për integrimin ekonomik të Shqipërisë në zinxhirët europianë të prodhimit.
“Industria automotive është shumë interesante sepse përveçse punëson mirë, është e ndërlidhur me gjithë zinxhirin e vlerës në Europë. Këtu në Shqipëri asemblohen pjesë që përdoren për makina si Kia dhe Hyundai. Disa komponentë prodhohen edhe në vende të tjera si Serbia dhe Polonia, ndërsa montimi final bëhet në Çeki dhe Sllovaki. Kjo tregon se Shqipëria është bërë tashmë pjesë integrale e zinxhirëve europianë të vlerës së shtuar”, theksoi ministrja.
Sipas ministres, ky është modeli i zhvillimit që Shqipëria synon të promovojë për të afruar ekonominë me standardet e kërkuara.
Burimi ATSH



















