
Lamallari vizitë në Komunitetin Mysliman: Më shumë paqe e harmoni
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari zhvilloi sot një vizitë në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për të uruar Fitër Bajramin.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari zhvilloi sot një vizitë në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për të uruar Fitër Bajramin.
Në selinë e KMSH-së Lamallari u prit nga kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu.
Lamallari uroi të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.
“Agjërimi nuk është vetëm një sprovë fizike, por mbi të gjitha një reflektim i thellë mbi durimin dhe rëndësinë e mirësisë dhe solidaritetit ndaj atyre që kanë më pak, si dhe një thirrje kuptimplotë për më shumë paqe e harmoni mbështetur mbi vlerat që na bashkojnë si shoqëri”, tha Lamallari në një postim në rrjetet sociale.
Pas 30 ditëve agjërim dhe falje besimtarët myslimanë festojnë sot Fitër Bajramin. Një orë pas lindjes së diellit besimtarët myslimanë falën Namazin. Që në orët e para të mëngjesit, besimtarë të shumtë falën Namazin e Fitër Bajramit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, si dhe në sheshe e xhami në të gjithë vendin.



















