
Rama citon Kuranin: Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj
Sot në Natën e Kadrit kryeministri Edi Rama përcolli një citim nga Kurani.

Sot në Natën e Kadrit kryeministri Edi Rama përcolli një citim nga Kurani.
“E ç’të bëri ty të dish se ç’është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj”, citoi Rama në një postim të ndarë në rrjetet sociale.
ijetarët islamë mendojnë se sot është Nata e Kadrit, një prej netëve të muajit të Ramazanit, për të cilën besohet se agjërimi gjatë saj është më i vlefshëm se 1000 muaj të tjerë.
Nata e Kadrit, çdo vit caktohet në një prej 10 ditëve të fundit të muajit të Ramazanit. Askush nuk e di të saktë datën, por dijetarët thonë se ka shenja për ta zbuluar atë, siç mund të jetë ndriçimi i Diellit, disi i zbehtë e pa rreze ose edhe ndonjë shi i lehtë.
Madhështia e kësaj nate qëndron në pranimin e lutjeve drejtuar Zotit. Nata e Kadrit nuk është e përcaktuar, por profeti Muhammed ka thënë se ajo bie në njërën prej netëve teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit. Besimtari duhet ta kërkojë atë përmes lutjeve të sinqerta. Fshehja e Natës së Kadrit është bërë me qëllim që besimtarët myslimanë të agjërojnë sa më shumë, për të marrë më shumë shpërblime, duke e kërkuar këtë natë gjatë kësaj periudhe.
Është pikërisht zbritja e Kuranit ajo që e ka bërë këtë natë të jetë kaq e vlefshme, madje më të vlefshme se një mijë muaj. Në të vërtetë, sikurse dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, që janë më të vlefshme se ditët paraprake të tij, po ashtu edhe në mesin e këtyre netëve është Nata e Kadrit, ajo që arrin kulmin e vlefshmërisë.
Në këtë natë filloi zbritja e Kuranit, libri i cili i tregoi njeriut se cili ishte ai në të vërtetë, e largoi njeriun nga adhurimi dhe përgjërimi ndaj çdo gjëje, duke e çuar vetëm drejt adhurimit të Zoti, krijuesit të tij. Nata e Kadrit, gjithashtu, e ka kuptimin e nderimit dhe të lartësimit.
Ramazani është muaji i frymëzimit për vepra të mira dhe i shpërblimit të sakrificës e durimit; muaji i nëntë i kalendarit mysliman të hixhrit, i cili llogaritet sipas Hënës dhe jo sipas Diellit.
Marrë nga ATSH


















