
Reforma e inspektimeve, Sula: Tolerancë zero për abuzuesit me standardet e sigurisë
Në kuadër të reformës së inspektimeve u zhvillua takimi i radhës, i organizuar nga Inspektorati i Përgjithshëm, me pjesëmarrjen e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, si dhe përfaqësuesve të strukturave rajonale të tij.

Në kuadër të reformës së inspektimeve u zhvillua takimi i radhës, i organizuar nga Inspektorati i Përgjithshëm, me pjesëmarrjen e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, si dhe përfaqësuesve të strukturave rajonale të tij.
Takimi u hap nga Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, i cili theksoi se reforma në sistemin e inspektimeve mbetet një prioritet thelbësor për garantimin e standardeve të sigurisë dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Në fjalën e tij, ai theksoi se do të ketë tolerancë zero për abuzuesit dhe se çdo shkelje do të përballet me masa të menjëhershme ligjore.
Inspektori i Përgjithshëm nënvizoi se nuk do të ketë asnjë tolerancë për shkelje që lidhen me kontrollin e ujit të pijshëm, me dhënien e shërbimeve shëndetësore nga persona të pakualifikuar apo të paautorizuar, përfshirë raste kur shërbimet ofrohen nga studentë apo personel pa kompetencat e kërkuara ligjore, si dhe për tregtimin e produkteve medicinale dhe kozmetike në markete, jashtë kanaleve të lejuara.
Sula theksoi se do të merren masa të rrepta ndaj farmacive sezonale që nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, ndaj çdo rasti të tregtimit të ilaçeve kontrabandë, si dhe në rastet që lidhen me menaxhimin e rrezatimit dhe trajtimin e mbetjeve spitalore, fusha që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe shëndetin publik.
Në vijim të takimit, Kryeinspektorja e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Luneda Sufali, vlerësoi bashkëpunimin me Inspektoratin e Përgjithshëm dhe theksoi angazhimin e strukturave shëndetësore për zbatimin e standardeve të reja inspektuese dhe për forcimin e mekanizmave të kontrollit në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.
Gjatë aktivitetit u prezantuan gjithashtu disa nga nismat e reja që do të ndërmerren në kuadër të reformës. Ndër to u bë e ditur se së shpejti do të lançohet portali Sigurt.Gov.Al, një platformë e dedikuar për raportimin e shkeljeve ligjore që lidhen me fushat e inspektimit. Portali do të mundësojë raportimin e rasteve nga qytetarët dhe bizneset, duke ofruar gjithashtu mekanizma gjurmueshmërie për ndjekjen e çdo denoncimi të bërë.
Po ashtu, u prezantua edhe krijimi i Linjës së Gjelbër 0800, përmes së cilës qytetarët do të kenë mundësinë të sinjalizojnë çdo shkelje ligjore, në mënyrë anonime ose me identitet, duke nxitur kështu një rol më aktiv të publikut në garantimin e zbatimit të ligjit.
Takimi u mbyll me theksin se reforma e inspektimeve do të vijojë në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha inspektoratet qendrore dhe rajonale, me synimin për të ndërtuar një sistem modern, transparent dhe efektiv kontrolli, në shërbim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe rritjes së besimit të qytetarëve tek institucionet.
Burimi ATSH



















