
Shqipëria kremton 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë
Shqipëria kremton sot 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, që shënoi shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe hodhi themelet e shtetit të pavarur shqiptar.

Shqipëria kremton sot 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, që shënoi shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe hodhi themelet e shtetit të pavarur shqiptar.
Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali dhe përfaqësuesit e trevave shqiptare shpallën Shqipërinë shtet të lirë dhe të pavarur, duke kurorëzuar përpjekjet disavjeçare të lëvizjes kombëtare për liri dhe vetëvendosje.
Shpallja e Pavarësisë ishte rezultat i një procesi të gjatë politik e kulturor, të lidhur ngushtë me Rilindjen Kombëtare Shqiptare, përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe, afirmimin e identitetit kombëtar dhe kryengritjet kundër sundimit osman.
Një moment vendimtar në këtë proces ishte kryengritja e përgjithshme e vitit 1912, ndërsa shpërthimi i Luftës së Parë Ballkanike, në tetor të po atij viti, përshpejtoi zhvillimet politike.
Dobësimi i Perandorisë Osmane dhe përparimi i ushtrive të shteteve fqinje në territoret shqiptare rrezikonin copëtimin e trojeve shqiptare, duke e bërë shpalljen e Pavarësisë një domosdoshmëri historike.
Në këto rrethana, pas një sërë konsultimesh me përfaqësues të lëvizjes kombëtare brenda dhe jashtë vendit, Ismail Qemali mbërriti në Vlorë, ku më 28 nëntor 1912 u mblodh Kuvendi Kombëtar.
Delegatët miratuan aktin e shpalljes së Pavarësisë, ndërsa ngritja e flamurit kuqezi në Vlorë simbolizoi lindjen e shtetit shqiptar.
Kuvendi zgjodhi Ismail Qemalin në krye të Qeverisë së Përkohshme, përbërja e së cilës u përcaktua më 4 dhjetor 1912. Qeveria mori përsipër organizimin e institucioneve të para shtetërore dhe përfaqësimin e interesave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Shpallja e Pavarësisë shënoi gjithashtu fillimin e një procesi të vështirë diplomatik për njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar dhe përcaktimin e kufijve të tij.
Sot, 114 vjet më pas, 28 Nëntori, Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë, mbetet një datë që bashkon shqiptarët kudo në botë, në kujtesën e përbashkët historike dhe në afirmimin e identitetit kombëtar.
/Marrë nga ATSH
















