
PS: Rivlerësimi i pronave të shtyhet deri në fund të vitit 2027
Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një projektligj që parashikon shtyrjen deri më 31 dhjetor 2027 të afatit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme nga individët dhe personat juridikë.

Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një projektligj që parashikon shtyrjen deri më 31 dhjetor 2027 të afatit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme nga individët dhe personat juridikë.
Nisma është propozuar nga deputeti Olsi Komiçi dhe i është përcjellë për shqyrtim kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Projektligji parashikon ndryshime në ligjin nr. 85/2025 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, duke u dhënë qytetarëve dhe bizneseve edhe një vit kohë për të kryer këtë proces. Sipas propozimit, afati për rivlerësimin e pronave do të zgjatet deri më 31 dhjetor 2027, si për individët, ashtu edhe për personat juridikë.
Një lehtësi tjetër parashikohet për qytetarët që kanë paraqitur kërkesën pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe kanë paguar tatimin përkatës, por nuk kanë mundur të përfundojnë procedurat për shkak të vonesave administrative. Në këto raste, procedurat do të mund të përmbyllen deri më 31 mars 2028.
Projektligji përcakton gjithashtu se diferenca ndërmjet vlerës së rivlerësuar dhe vlerës kontabël të pasurisë për personat juridikë do të pasqyrohet në pasqyrat financiare të vitit 2027, për rivlerësimet e kryera gjatë këtij viti. Në relacionin shoqërues argumentohet se shtyrja synon t’u japë më shumë kohë subjekteve të interesuara për të përmbushur procedurat dhe të shmangë penalizimin e qytetarëve që kanë kryer pagesat, por presin përfundimin e procesit nga institucionet.
Sipas propozuesve, ndryshimet synojnë të garantojnë sigurinë juridike dhe qartësinë në trajtimin e efekteve të rivlerësimit për personat juridikë. Nisma, sipas relacionit, nuk sjell efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit.
Projektligji është depozituar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend dhe parashikon hyrjen në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.



















