
Mbi 600 investitorë nga Europa e rajoni në Konferencën e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor në Tiranë
Konferenca e Investimeve Bashkimi Europian–Ballkani Perëndimor (EU–WB6 Investment Forum) ka mbledhur në Tiranë përfaqësuesit më të lartë të qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare, investitorë dhe drejtues të bizneseve nga Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Konferenca e Investimeve Bashkimi Europian–Ballkani Perëndimor (EU–WB6 Investment Forum) ka mbledhur në Tiranë përfaqësuesit më të lartë të qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare, investitorë dhe drejtues të bizneseve nga Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga dita e parë e punimeve të kësaj konference, ku Tirana po mirëpret mbi 600 investitorë nga Europa e rajoni, si edhe figura të shquara të politikës europiane e ekonomistë të mirënjohur.
Kryeministri bëri të ditur se dita e dytë e punimeve vijon sot me të tjerë të ftuar, diskutime e takime pune.
Pas edicionit të parë, forumi është rikthyer në Tiranë me synimin për të nxitur investime të reja, për të forcuar partneritetet strategjike dhe për të krijuar mundësi konkrete bashkëpunimi mes bizneseve europiane dhe atyre të rajonit.
Në qendër të diskutimeve janë sektorët me potencial të lartë zhvillimi, si energjia, infrastruktura, transporti dhe ndërlidhja rajonale, turizmi, teknologjia dhe kapitali njerëzor.
Përmes paneleve të nivelit të lartë, takimeve të drejtpërdrejta mes bizneseve (B2B) dhe sesioneve të posaçme për krijimin e partneriteteve, forumi synon të shndërrojë potencialin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në projekte dhe mundësi konkrete investimi.
Mbajtja e këtij forumi në Tiranë përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e potencialit ekonomik të Shqipërisë, forcimin e bashkëpunimit me investitorët europianë dhe avancimin e integrimit ekonomik të rajonit me tregun e Bashkimit Evropian.
Burimi ATSH



















