
Rama: Taksa më të larta për apartamentet që mbahen bosh, zgjerojmë ofertën në tregun e qirave
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në seancën plenare projektbuxhetin për vitin 2027 si dhe paketën e re fiskale.

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në seancën plenare projektbuxhetin për vitin 2027 si dhe paketën e re fiskale.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë u ndal tek ligji për strehimin social, ku theksoi se “janë 1000 familje që përfshihen në skemat e kreditimit të lehtësuar dhe janë 2 000 familje të tjera që mbështeten me subvencionimin e qirasë në tregun e lirë, ndërkohë që 7 000 familje të tjera, pra në total janë 10 000 familje, që do të përfitojnë nga kjo qasje e re për strehimin”.
Nga ana tjetër, Rama tha se do të përfshihet në këtë politikë të re edhe zgjerimi i stokut të banesave që ndërtohet nga vetë fondi i strehimit.
“Kështu që nuk mund të kemi një realitet ku apartamentet mbahen bosh si depo pasurie, ndërkohë që për shumë familje të reja qiraja bëhet e lartë dhe, prandaj në paketën e sotme fiskale ka dhe një propozim tjetër për të rritur taksën për apartamentet që mbahen bosh. Dhe, natyrisht, duke pasur parasysh në radhë të parë ata që janë blerës të huaj”, tha Rama.
Në anën tjetër, Rama shtoi se “regjimi i ri i taksimit për apartamentet e mbajtura bosh që nuk hidhen në tregun e qirave, nuk është një qasje agresive ndaj pronës dhe të drejtës së njerëzve për të administruar pronat e tyre si duan, as për t’i ndëshkuar ata që investojnë, por për të nxitur një përdorim produktiv në aspektin social të stokut të banesave dhe për të ndihmuar që tregu i qirave të ketë një ofertë më të gjerë”.
Rama shtoi se kjo shkon në të njëjtën logjike me trajtimin e diferencuar të pronave të luksit, përfshirë vilat në bregdet, apo përfshirë dhe konsumin e ujit të pishinave.
“Është koha që të ndahen kategoritë. Apartamentet e dyta janë një gjë, vilat në bregdet janë një gjë tjetër. E njëjta gjë vlen edhe për makinat e luksit”, tha ai.
Burimi ATSH


















