
Ibrahimaj: Politikë fiskale më sociale, do monitorojmë uljen e çmimeve për konsumatorët
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u shpreh sot se paketa e re fiskale parashikon një sërë lehtësirash për qytetarët

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj u shpreh sot se paketa e re fiskale parashikon një sërë lehtësirash për qytetarët, ndërsa theksoi se fokusi i qeverisë janë familjet, të rinjtë dhe shtresat me të ardhura më të ulëta.
Në një intervistë televizive, Ibrahimaj u shpreh se qeveria ka vendosur të bëjë një rishpërndarje të të ardhurave, me qëllim lehtësimin e kostove të jetesës dhe përballimin e rritjes së çmimeve.
Sipas saj, “situata aktuale ekonomike dhe fiskale e vendit krijon mundësi për ndërmarrjen e politikave më të guximshme sociale”.
“Shqipëria ka shënuar rritje ekonomike, ulje të papunësisë, rritje të punësimit dhe të të ardhurave buxhetore, ndërsa borxhi publik ka ardhur në reduktim. Me fokus te njerëzit, te familjet, te të rinjtë, me fokus te ata që kanë më pak të ardhura dhe më pak mundësi që të përballojnë qoftë rritjet e çmimeve, kostot e jetës, ndaj dhe ne vendosëm që të bëjmë një kthesë, një rishpërndarje të të ardhurave. Të gjithë treguesit e vlerësojnë Shqipërinë me performancë pozitive dhe një parashikim pozitiv. Kjo na jep mundësinë që në këtë moment ne të bëjmë disa politika që janë më të guximshme, me qëllim që ta shtyjmë trajektoren drejt një politike fiskale më sociale”, u shpreh Ibrahimaj.
Ibrahimaj sqaroi po ashtu edhe ndryshimet e parashikuara në paketën fiskale, duke u ndalur te tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël dhe ulja e pragut të TVSH-së.
Sipas saj, biznesi i vogël do të vijojë të përfitojë nga zero tatimi mbi fitimin, ndërkohë që ulja e pragut të TVSH-së synon të nxisë formalizimin dhe të krijojë konkurrencë më të drejtë mes bizneseve.
Sipas saj, dallimi mes bizneseve përcaktohet nga pragu i tatimit mbi fitimin, ndërsa TVSH-ja është një taksë që rëndon mbi konsumatorin dhe jo mbi biznesin.
Ibrahimaj argumentoi se ekzistenca e pragjeve tatimore mund të nxisë informalitetin, pasi bizneset shmangin marrjen e faturave dhe formalizimin për të mos kaluar në një regjim të ri tatimor.
“Unë nuk e shoh pragun e TVSH-së si një ndarje mes biznesit të madh dhe biznesit të vogël. Ajo që ndan konceptin tonë për biznesin e madh dhe të vogël është pragu i tatimit mbi fitimin, i cili është një nga pragjet më të larta që ka në rajon, por edhe në të gjithë Evropën. TVSH-ja është një taksë që shkon te konsumatori dhe jo te biznesi. Pragjet nxisin informalitetin, sepse, duke ekzistuar një prag, atëherë kompania nuk mund dhe nuk do të marrë fatura më shumë, nuk do të formalizohet me qëllim që të mos hyjë në një regjim të ri tatimor. Unë nuk e shoh si negative uljen e pragut të TVSH-së. Nuk besoj se futja e TVSH-së do të sjellë ndonjë ngarkesë për biznesin e vogël, përveçse deklarimit”, tha ajo.
Sipas saj, masat fiskale të ndërmarra nga qeveria janë të balancuara dhe ndryshimet në taksa synojnë të mos pengojnë investimet.
Po ashtu Ibrahimaj theksoi se heqja e taksës së qarkullimit do të ndikojë në përdorimin më pak të makinave.
Po ashtu, Ibrahimaj siguroi se produktet e shportës që do të përfitojnë nga ulja e TVSH-së do të monitorohen me rigorozitet, me qëllim që reduktimi i taksës të reflektohet drejtpërdrejt në çmimet për konsumatorët.
“Çelësi është zbatimi dhe sigurimi që kjo politikë fiskale, kosto e reduktuar e biznesit, të sjellë rënie çmimesh. Ne bëmë publike platformën ‘Pasqyra e Çmimeve’, e cila kishte për qëllim transparencën për çmimet. Kemi nisur monitorimin dhe 54 produktet që do të kenë ulje të TVSH-së do të ndiqen me rigorozitet. Biznesi do t’i ulë çmimet, sepse situata është e tillë dhe konkurrenca do të bëjë që çmimet të ulen. Ulja e TVSH-së na garanton që kemi një konkurrencë më të ndershme dhe më të barabartë edhe për produktet e tregut me pakicë”, shtoi Ibrahimaj.
Burimi ATSH


















